zoom

Lajme

Salianji u përplas me Nokën/ Berisha: Ka demokratë që flirtojnë me qeverinë

Salianji u përplas me Nokën/ Berisha: Ka demokratë që flirtojnë me qeverinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar situatën në PD, pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, ku Ervin Salianji u përplas me Flamur Nokën duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Berisha mohoi të ketë përçarje brenda partisë.

Ai e përshkroi takimin si “jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe pozitiv” dhe siguroi se PD mbetet e bashkuar në misionin e saj për demokracinë dhe votën e lirë.

Berisha kritikoi disa ish-anëtarë të partisë që, sipas tij, pas zgjedhjeve kanë vendosur të punësohen në administratën e qeverisë, duke i cilësuar si njerëz që “hanë turpin me bukë”.

Ai shtoi se të tjerë kanë zgjedhur të largohen nga politika për të ndjekur jetën e tyre, ndërsa disa të tjerë “flirtojnë me qeverinë për të marrë kontrata”.

Kryetari i PD theksoi se partia ka një qëllim të vetëm: promovimin e lirive, rikthimin e votës së lirë dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Ai bëri thirrje që askush brenda partisë të mos shqetësohet për ata që bashkëpunojnë me qeverinë, duke i cilësuar si “zhurmues në favor të Ramës” dhe duke vënë në dukje se këta individë nuk kanë lidhje me idealet dhe misionin e PD.

“Unë dua t’ju them se kjo parti ka dhe do të ketë vetëm një qëllim: idealin e lirisë dhe rikthimin e votës së lirë. Kontrata jonë është me qytetarët, për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë. Ndaj asnjë shqetësim nuk duhet të keni. Ju siguroj se mbledhja ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe pozitive. Nuk ka një përçarje, ju garantoj, Po pas zgjedhjeve në PD pati demokratë që hanë turpin me bukë dhe vrapuan u punësuan në administratën e krimit. Pati të tjerë të cilët vendosën të mos merren më me politikë, por të ndjekin jetën e tyre. Pati të tjerë që flirtojnë me qeverinë për kontratat që kanë. Unë dua tu them ju që kjo parti ka dhe do ketë vetëm një qëllim, idealin e lirisë, rikthimin e votës së lirë. Kjo parti nuk do të qëndrojë për kontratat e asnjeriu. Kontrata jonë është me qytetarët, për demokracinë, familjen dhe Shqipërinë.

Ndaj asnjë shqetësim nuk duhet të kesh. Ata që zgjedhin për tu bërë zhurmues në favor të Edi Ramës, duke mashtruar, duke manipuluar elemente që kanë punuar haptas ndaj PS dhe deputetëve të PS. Madje kanë dalë edhe kandidatë në bashkinë e Tiranës kundër kandidatëve të PD, ata janë falls, nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet tona. Kjo është koha e misionarëve”, tha Berisha./ Zoom.al

Postime të lidhura