zoom

Slider

Nju Jorku dhe Parisi, në fillim të 2024-s do të mirëpresin taksitë fluturuese

Pyetjes “sa kohë duhet për të arritur nga aeroporti JFK në Manhattan”, motori i kërkimit Google jep katër përgjigje:
  • me metro: 60 – 90 minuta
  • me tren periferik: 35 minuta
  • me taksi: 45 minuta
  • me autobus: 90 minuta.

Pas dy vitesh do të shtohet një përgjigje e re:

  • me taksi ajrore: 7 minuta.

Sipas kryebashkiakut Eric Adams, heliporti i qytetit të Nju Jorkut do të bëhet i pari në botë që do të jetë në gjendje t’i shërbejë helikopterëve elektrikë. Ai u shpreh se vizioni për heliportin e qendrës së Manhatanit do të krijojë modelin e parë në botë me infrastrukturë për avionët elektrikë dhe do ta vërë atë në shërbim të njujorkezëve si një qendër për transport të qëndrueshëm dhe lidhje lokale.

Ndër të parat që pritet të përdorin infrastrukturën e pistës do të jenë dy kompani taksish ajrore: Joby Aviation dhe Volocopter, të cilët kanë kryer fluturime pilot. Joby Aviation njoftoi së fundmi partneritetin e saj me Delta Air Lines. Një udhëtim pa zhurmë, pa emetime, pa kaosin e rrugëve të Nju Jorkut. Dhe kryesisht në pak minuta.

Ky është premtimi për investitorët dhe përdoruesit e ardhshëm të Joby Aviation, i cili kreu një fluturim të parë testues me taksi ajrore në heliportin në qendër të Manhatanit. Ishte fluturimi i parë në një mjedis urban dhe tërhoqi vëmendjen e mijëra kalimtarëve. Taksia ajrore mban një pilot dhe katër pasagjerë.

Siç shpjegon kompania, taksia ajrore do të jetë në gjendje të rimbushet për rreth pesë minuta, për aq kohë sa u duhen pasagjerëve për të zbarkuar dhe hipur. Pasagjerët do të rezervojnë udhëtimin e tyre në një aplikacion. Kostoja ende nuk është bërë e ditur, megjithatë kompania garanton se nuk do të jetë shumë më e shtrenjtë se ajo e një taksie konvencionale.

Menjëherë pas uljes së taksisë ajrore të Joby, vendin e tij e zuri avioni gjerman Volocopter Volocopter 2X. Me pilotin dhe dy pasagjerët, taksia ajrore fluturoi për rreth pesë minuta. Nju Jorku ishte ndalesa e fundit e turit të kompanisë që u parapri nga Singapori dhe Las Vegas. Me afrimin e Lojërave Olimpike dhe kaosit në rrugët e Parisit tashmë të padurueshëm për banorët dhe vizitorët, kryeqyteti francez pritet të bëhet qyteti i parë europian që do t’i drejtohet zgjidhjes së taksive fluturuese.

Fluturimet e para të Volocopter në Paris do të zhvillohen në pesë pika, njëra prej të cilave pritet të jetë e vendosur në lumin Seine. Volocopter së pari do të duhet të marrë certifikatën nga Agjencia e Aviacionit dhe Sigurisë së Bashkimit Europian – një proces që kompania thotë se do të përfundojë në fillim të vitit 2024.