zoom

Politikë

Arsyeja e sherrit mes nipit të deputetit socialist dhe kryebashkiakut: Më goditi me grushte

Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokonoshi ka denoncuar në polici se është dhunuar. Burime nga policia e Divjakës bëjnë me dije mbrëmjen e së mërkurës ka qenë vetë kryebashkiaku socialist ai që ka bërë denoncimin.

Në deklaratën e tij, Kokoneshi ka thënë se është dhunuar për shkak të detyrës. Mësohet se Kokoneshi është përfshirë në një konflikt të dhunshëm me nipin e deputetit socialist, Paulin Stërkaj.

“Në datë 11.7.2022, në Komisariatin e Policisë Divjakë ka bërë kallëzim shtetasi F. K., 54 vjeç, banues në Divjakë, (kryetar i Bashkisë Divjakë), se shtetasi D. S., 32 vjeç, banues në Divjakë, e ka goditur me grushte dhe e ka ofenduar për shkak të detyrës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë, referuan materialet në Prokurori për vlerësim”, thuhet në njoftimin e policisë për denoncimin e bërë nga kryebashkiaku i Divjakës.

Si ndodhi konflikti?

Tri ditë pas denoncimit të kryebashkiakut, dalin në dritë të tjera fakte të rënda. Shkak janë bërë pagesat e taksave, ndaj ishte zyrtari që denoncoi në Komisariatin e Divjakës se u ofendua dhe u godit me grushte nga nipi i deputetit të Partisë Socialiste Paulin Stërkaj, 32- vjeçari Dritan Stërkaj, administrator i një resorti në Divjakë.

Kokoneshi nuk ka zbardhur detaje rreth motiveve të konfliktit që pati me 32-vjeçarin, por në Polici ka thënë se është goditur për shkak të detyrës. Besohet se resorti në Divjakë që administrohet nga Dritan Stërkaj që dikur ka qenë kampi i punëtorëve, është bërë shkak i konfliktit mes Kokoneshit dhe nipit të deputetit socialist.

Burimet thonë se pagesa e taksave ndaj Bashkisë që resorti ka detyrim, u bënë shkak për konfliktin mes Stërkajt dhe Kokoneshit. Për këtë ngjarje, Policia ka referuar materialet në Prokurori, institucion që pritet të hetojë më gjerësisht rreth konfliktit që degjeneroi në dhunë ndaj një zyrtarit.

Policia e Fierit nuk ka dhënë ndonjë njoftim për veprime të mëtejshme ndaj 32-vjeçarit, ndërsa materialet hetimore pas denoncimit janë depozituar në Prokurorinë e Fierit. Do të jetë kjo e fundit ajo që do të vendosë për veprime të mëtejshme ndaj Stërkajt./ Zoom.al