zoom

Bota

Nigeria në kaos, vriten 50 persona dhe rrëmbehen dhjetëra të tjerë

Të paktën 50 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u rrëmbyen, duke përfshirë gra dhe fëmijë, kur persona të armatosur sulmuan fshatin Yargoje në veriperëndim të Nigerisë në fundjavë, thanë banorët të hënën.

Një vit pasi presidenti Bola Tinubu erdhi në pushtet, duke premtuar se do t’i jepte fund pasigurisë së përhapur, sulmet në veriperëndim nga bandat e armatosura, shpesh të referuara si banditë, janë bërë pothuajse rutinë, ndërsa autoritetet janë pafuqishme për t’i ndaluar ato.

Dhjetëra persona të armatosur me motoçikleta sulmuan Yargoje në zonën e qeverisjes lokale Kankara të shtetit Katsina vonë të dielën, sipas banorit Hassan Ya’u. “Ata qëlluan në mënyrë sporadike mbi njerëzit, duke vrarë rreth 50 persona, përfshirë vëllain tim më të vogël”, tha ai për Reuters me telefon. Ai shtoi se një numër i panjohur fshatarësh ishin rrëmbyer dhe pronat ishin plaçkitur.

Një tjetër banor, Abdullahi Yunusa Kankara, tha se shpëtoi sulmit dhe se ai vazhdoi deri në orët e para të së hënës. “Qyteti ynë është kthyer në një zonë vdekjeje. Pothuajse çdo shtëpi në fshat ka rënë viktimë e këtij sulmi”. Kankara shtoi: “Aktualisht jemi duke kryer një numërim për të përcaktuar se sa njerëz janë rrëmbyer. Më shumë trupa të pajetë u gjetën këtë mëngjes”.

Autoritetet e policisë Katsina nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Sulmet në zonat rurale dhe rrëmbimet për shpërblim janë të përhapura në Nigerinë veriore, një rajon i goditur nga një kryengritje 15-vjeçare islamike në verilindje dhe përleshje të shpeshta vdekjeprurëse midis fermerëve dhe barinjve në zonat veri-qendrore. /ZOOM.AL/