zoom

Kosova

Ngjarje e rëndë në Kosovë. Vritet një grua dhe plagoset një burrë brenda institucionit shtetëror!

Një krim i rëndë ka tronditur Kosovën ditën e sotme. Ngjarja ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku raportohet se është vrarë një grua dhe një burrë është plagosur.

Policia kosovare konfirmoi krimin e rëndë dhe njoftoi se po heton për shkaqet, rrethanat dhe autorësinë.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Për pasojë, nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa është plagosur një person mashkull, i cili është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar nē drejtim të panjohur”, njoftoi policia.

Pas nisjes së hetimeve dhe ndjekjes, ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje.

“Ekipe të hetuesve janë në vendin e ngjarjes, duke e ekzaminuar, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, thuhet në njoftim, teksa motivet mbeten të panjohura ende. /ZOOM.AL/