Aplikacion
Modelja shqiptare Kleofina Pnishi dhe futbollisti francez Benjamin Pavard do të bëhen prindër për herë të parë. Lajmin e ka konfirmuar vetë modelja përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet krah bashkëshortit duke zbuluar barkun e rrumbullakosur.
Me këtë publikim, çifti ka ndarë për herë të parë me ndjekësit gëzimin e pritjes së fëmijës së tyre të parë, duke marrë urime të shumta nga fansat dhe miqtë.

Ky lajm vjen vetëm pak muaj pasi Kleofina dhe Benjamin Pavard kurorëzuan dashurinë me një dasmë madhështore treditore në Bregun Amalfitan, në Itali. Ceremonitë u zhvilluan mes 17 dhe 19 korrikut 2025, duke përfshirë martesën civile, ceremoninë fetare dhe një brunch për të ftuarit. Vetë Kleofina e përshkroi atë si “tre ditë magjie të pastër”.

Dasma tërhoqi vëmendjen edhe për detajet që nderonin origjinën shqiptare të modeles. Pavard u shfaq me plis tradicional shqiptar në një pjesë të festimeve, ndërsa ceremonia u shoqërua me muzikë dhe valle shqiptare. Kleofina veshi gjashtë fustane të ndryshme, mes tyre edhe krijime të stilistëve nga Kosova, duke e kthyer ceremoninë në një nga dasmat më të komentuara të vitit.

Historia e dashurisë së çiftit nisi disa vite më parë përmes miqve të përbashkët, ndërsa fejesa u zhvillua në verën e vitit 2024 në Sarandë. Në intervista të mëparshme, Kleofina ka treguar se Benjamin Pavard iu desh të fitonte edhe besimin e familjes së saj, pasi fillimisht i ati nuk ishte dakord me lidhjen për shkak të famës së futbollistit. Megjithatë, më vonë ai e pranoi dhe krijoi një marrëdhënie shumë të mirë me dhëndrin.
