zoom

Aktualitet

Mirlinda Karçanaj 30 minuta në SPAK, refuzon t‘i përgjigjet gazetarëve. Avokatja: Kur të dojë do të flasë

Mirlinda Karçanaj 30 minuta në SPAK, refuzon t‘i përgjigjet gazetarëve. Avokatja: Kur të dojë do të flasë

Ish-drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të martë në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Karçanaj ka qëndruar për rreth 30 minuta në Prokurorinë e Posaçme dhe, në dalje, është pyetur nga gazetarët lidhur me hetimet dhe përgjegjësitë e saj në institucionin që drejtonte. Ajo nuk ka pranuar të japë deklarata për mediat, ndërsa avokatja e saj u shpreh shkurt se “kur të dojë do të flasë”.

Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë vendosi lehtësimin e masës së sigurisë ndaj ish-zyrtares së lartë. Gjykata ndryshoi vendimin e mëparshëm të Apelit të GJKKO-së, duke caktuar ndaj saj masat “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitje”, ndërsa më herët ajo ndodhej në “arrest shtëpie”.

Sipas vendimit, Mirlinda Karçanaj duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.

Ish-drejtoresha e AKSHI-së po hetohet nga SPAK për dyshime mbi shkelje të procedurave në tenderë publikë. Ndaj saj janë ngritur akuza për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si edhe për “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.

Në të njëjtën dosje hetohen edhe Hava Delibashi dhe Erjon Ismaili, ky i fundit i pezulluar nga detyra.

Postime të lidhura