Aplikacion
Departamenti Amerikan i Shtetit ka refuzuar të komentojë mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, teksa kriza e korrupsionit thellohet dhe qeveria rikthen në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila përballet me akuza penale nga SPAK.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë Fox News Digital dhe Reuters, Balluku u rikthye në detyrë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila e pezulloi përkohësisht largimin e saj, deri në një vendim përfundimtar. Vendimi erdhi pasi kryeministri Edi Rama e çoi çështjen në Kushtetuese, pas shkarkimit të Ballukut nga një gjykatë më e ulët.
SPAK ngriti më 31 tetor akuza ndaj Ballukut për ushtrim ndikimi të paligjshëm në favor të një kompanie në një tender për ndërtimin e një tuneli 3.7 milje në jug të vendit. Një tjetër akuzë u shtua më 21 nëntor, lidhur me shkelje proceduriale në një projekt rrugor në Tiranë, çka solli edhe shkarkimin e saj nga detyra.
Një ditë para paraqitjes në gjykatë, Balluku i quajti akuzat “baltosje, insinuata dhe gënjeshtra”, ndërsa rasti i saj është i dyti brenda kabinetit Rama që prej vitit 2023 që përballet me akuza korrupsioni, duke nxitur reagime të forta nga opozita.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe OKB, Agim Nesho, deklaroi për Fox News Digital se rasti Balluku tregon se “qeveria Rama nuk ka as vullnetin moral dhe as politik për t’i hapur rrugë drejtësisë së pavarur”. Sipas tij, ekzekutivi po përpiqet të mbrojë zëvendëskryeministren duke paraqitur veprimet e gjyqësorit si sulm politik ndaj qeverisë.
Nesho paralajmëroi se ndërhyrja në Gjykatën Kushtetuese mund të krijojë një precedent mbrojtës edhe për kryeministrin Rama, nëse hetimet në të ardhmen do të përfshijnë drejtpërdrejt edhe atë. “Po bëhet gjithnjë e më e qartë se perandori nuk ka rroba”, u shpreh ai, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një formë “kapjeje të shtetit”.
Sipas Neshos, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i larguar nga Shqipëria për shkak të hetimeve nga SPAK, ka deklaruar se vendimmarrjet kryesore për tenderët, financat dhe asetet publike janë drejtuar personalisht nga Rama. Ahmetaj ka hedhur edhe akuza për lidhje të kryeministrit me grupe kriminale, akuza që Rama i ka mohuar, duke i cilësuar si të pavërteta dhe politike.
SHBA-të kanë financuar për vite me radhë reformën në drejtësi në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit europian dhe luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, sipas kritikëve, reformat kanë prodhuar edhe bllokime në sistemin gjyqësor dhe rritje të pakënaqësisë publike.
“Nuk është e lehtë të imagjinohet se si një qeveri që sillet si një republikë bananesh mund të anëtarësohet në BE”, deklaroi Nesho, duke shtuar se opozita është dobësuar përmes përdorimit politik të drejtësisë, ndërsa Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet pavarësisht skandaleve të shumta të korrupsionit dhe akuzave për manipulim zgjedhor.
Pas rikthimit të Ballukut në detyrë, zemërimi publik, sipas Neshos, nuk është i drejtuar vetëm ndaj saj, por ndaj një sistemi qeverisës që vepron pa llogaridhënie. Ai theksoi se shumë qytetarë e quajnë kryeministrin “Ramaduro”, në krahasim me presidentin venezuelian Nicolás Maduro.
Zyra e shtypit e kryeministrit Rama i tha Fox News Digital se nuk ka koment mbi këto akuza. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë u përgjigjën shkurt: “Nuk kemi koment për çështje ligjore në proces”, edhe kur u pyetën për mundësinë e sanksioneve ndaj Ballukut./ Përkthyer nga FoxNews, titulli në origjinal: “State Department stays quiet as Albania reinstates deputy PM accused of corruption”.