zoom

Aktualitet

Mbyllet protesta/ Qytetarët rendisin kërkesat, qeveria ka afat deri të hënën

Protesta e mbajtur kundër rritjes së çmimeve para kryeministrisë është mbyllur pas 60 minutash, ndërsa aktivistët që e kanë udhëhequr, gjatë kanë renditur disa propozime për qeverinë.

“Propozojmë heqjen e TVSH për miellin vezën, qumështin dhe të gjitha ushqimet e shportës ashtu si të gjitha vendet e tjera kanë lehtësuar barrën fiksale. Kërkojmë uljen e TVSH për energjinë elektrike për familjarët dhe bizneseve të vogla. Kërkojmë heqje te taksës së qarkullimit të cilën e paguajmë 2 herë, edhe heqjen e akcizës së gazit”, tha Rigels Xhemollari.

Ishte Adriatik Lapaj i cili mbajti dhe fjalimin e fundit në protestë. Ai i bëri thirrje qeverisë të përmbushë kërkesat e qytetarëve, duke paralajmëruar se protesta e ardhshme do të zhvillohet ditën e hënë, për t’i lënë disa ditë kohë për të publikuar masat.

“Unë nuk organizova asnjë protestë, unë dola kundër rritjes së çmimeve por skam organizuar asgjë. Unë me qytetarët e tjerë u ndodhëm në të njëjtin vend. Unë mendoj se qeverisë ti lihet kohë deri ditën e henë për të dalë me një paketë masash dhe për të reflektuar. Ditën e hënë unë do jem përsëri këtu për të ushtruar të drejtën time kushtetuese. Mendoj se ska vend për rritjen e çmimit të bukës. Jemi i vetmi vend në rajon që e taksojmë bukën 20% Italia 4% Greqia 13%. Ky është një mekanizëm që mund të ndërhyhet dhe çmimi të mos bjerë mbi qytetarët”, tha Lapaj.

Lapaj është shprehur se mënyra për të zgjidhur problemet është të kundërshtojmë rritjen e çmimeve. Qytetarët që morën pjesë në protestë janë shpërndarë, ndërsa Lapaj bëri të ditur se ditën e hënë, në orën 17:00, do të rikthehen sërish përballë kryeministrisë, për të protestuar sërish në rast se qeveria nuk reflekton.