Aplikacion
“Ne më shumë duam ndihmë të mbijetojmë. Të hamë bukë dhe të marrim ilaçet”! Kështu shprehet 46-vjeçari Bledar Skermo nga Poloska e Bilishtit, i vënë në sprovë nga fati dhe i lënë vetëm nga autoritetet përkatëse.
Burrë e grua të sëmurë, pamundësi ekonomike dhe një fëmijë në mesin e tyre, vetëm 10 vjeç – ky është trinomi që duhej të kishte shkundur mekanizmat shtetërore, për të frenuar vuajtjet dhe dhënë zgjidhje rastit në fjalë.
Me 7 rruaza të dëmtuara, ngushtim të palcës kurrizore, probleme me fijet nervore dhe i prekur nga hernia diskale cervikale, Bledari e ka të pamundur të punojë.
“Vështirësia ekonomike, kur shoh gruan dhe fëmijën tim të vuajnë, më kanë rënduar shumë,”- rrëfehet ai për Zoom.al, teksa tregon se përpos të tjerave, është mjekuar edhe nga një psikiatër, prej gjendjes së rënduar emocionale. Saktësisht, kryefamiljari Skermo ka ankth dhe shenja të depresionit.
Nga ana tjetër, Enkelejda, bashkëshortja e tij vuan nga hernia diskale lumbare; gjithashtu nga rëndimi i shëndetit mendor, si dhe probleme me stomakun.
Në 2009-ën, çifti do të lidhte kurorë, ku tre vite më vonë, në jetë erdhi Juli, djali i tyre. Bledari emigroi në Greqi, por do të detyroj të kthehej kur fëmija ende nuk kishte mbushur 2 vjeç. Sëmundja e shtyu të zinte shtratin duke e gjetur kështu pa një shtëpi. Sot ata jetojnë të tre në një dhomë, lënë në përdorim nga babai i Bledarit. Trajtohen me një ndihmë ekonomike prej 21 mijë lekësh të vjetra dhe përfitojnë falas vetëm një pjesë të mjekimeve. Të tjerat duhet t’i sigurojnë vetë.
Sëmundja e bashkëshortit në moshë të re, 9 vite më parë do të ishte një goditje e fortë për Enkelejdën, të cilës problemet emocionale i sjellin vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje të forta koke.
“Përpiqesha të mbaja familjen kur Bledari zuri shtratin. Por nuk mundem më, ndjej dhimbje, vështirësi në lëvizje. Jam sëmurë!”- i rrëfehet ajo gazetares së Zoom.al. “Jetojmë me lëmoshë, me çfarë na japin të tjerët. Shpesh, ushqimet që na i sjellin nuk i gatuajmë, s’ka kush të na i bëjë gati”.
Ndonëse Bledari ka nevojë urgjente për fizioterapi dhe Enkelejda për mjekim, shqetësimi i tyre më i madh është i biri 10-vjeçar. Keq/mosushqyerja i kanë shkaktuar konstipacion dhe anemi. Së fundmi, Juli është diagnstikuar me një problem (dëmtim) në organin gjenital, që lind nevojën e injektimit të hormoneve.
“Një gjilpërë kushton 34 mijë lekë të vjetra. Nuk kemi si t’ia bëjmë. Paratë që na jep shteti nuk mjaftojnë t’i blejmë një çokollatë djalit. Nëse ai s’e ndjek trajtimin rrezikon të mbetet steril,”- reagon Bledari, i përfshirë nga lotët dhe frika.
Peng i prindërve është jeta e vështirë që i kanë ofruar të miturit, i cili shkollën nuk mundet ta ndjekë rregullisht.
“Ju ka folur për ëndrrat e tij ndonjëherë?”- ishte pyetja jonë që për pak tingëlloi e pavend, në një kohë kur në familjen Skermo flitet për elementaren: bukën!
Në 2019-ën, bashkëshortët kërkuan gjerësisht ndihmë në fondacione dhe shoqata të ndryshme. Historia e tyre është përcjellë jo pak herë në media, por gjendja vazhdon e njejtë.
“Vetëm këtë djalë kemi. Ndaj nuk bëmë një fëmijë të dytë. S’mund të ndëshkonim një jetë tjetër,”- janë fjalët e sinqerta të një burri që lutet për ndihmë./ Zoom. al
*Shënim: Ky artikull ka për qëllim vënien në vëmendje të kësaj historie. Nëse cilido kërkon ta ndihmojë familjen Skermo personalisht, më poshte gjeni të dhënat që ju duhen:
Nr. Kontakti: 067 549 6138
Enkeleida Gjin Skermo (LEK)
IBAN: AL6320543525000511CLIDCLALLE
BIC/SËIFT CODE: NCBAALTX
Enkeleida Gjin Skermo (EURO)
IBAN: AL4520543525000511CLIDCFEURZ
BIC/SWIFT CODE: NCBAALTX