zoom

Politikë

Marta Kos dhe alibia e korrupsionit, kur Brukseli i kërkon viktimës të pendohet për krimin e xhelatit

Marta Kos dhe alibia e korrupsionit, kur Brukseli i kërkon viktimës të pendohet për krimin e xhelatit

Kur një qytetar jep ryshfet në hipotekë, në polici, në spitale apo në shkolla, ai nuk po pranon korrupsionin, por ai po blen të drejtën që zyrtarët e korruptuar ia kanë marrë peng. 

Editorial nga Zoom.al

Në labirintet e diplomacisë evropiane, ku fjalët zakonisht maten në peshore miligramëshe, intervista e fundit e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, për Politico, ra si një gur i rëndë në shoqërinë shqiptare. Por në vend që të trazonte pellgun e ndenjur të politikës sonë, ajo ka trazuar viktimën e përjetshme të kësaj politike, ne shqiptarët. 

Duke deklaruar se ligjet e mira nuk mjaftojnë nëse korrupsioni është “i pranuar nga shoqëria”, Kos hapi një kuti Pandore, nëpërmjet së cilës ajo ndoshta në mënyrë të paqëllimtë e zhvendosi përgjegjësinë nga kuzhina ku prodhohet korrupsioni tek qytetarët që janë të detyruar ta hanë atë si gjellën e vetme që i sërviret në përditshmëri. 

Teza e zonjës Kos mund të jetë e vertetë në në rrafshin teorik, por ajo është tejet problematike në atë praktik. Të kërkosh ndryshim mentaliteti në një vend ku korrupsioni nuk është zgjedhje, por rrugëdalje e vetme për një shërbim bazëdhe përdoret si manual për shpërndarjen e parasë publike nga qeveria, do të thotë të injorosh mekanizmin e vetëm të mbijetesës dhe hajdutërinë e qeverisjes. 

Kur një qytetar jep ryshfet në hipotekë, në polici, në spitale apo në shkolla, ai nuk po pranon korrupsionin, por ai po blen të drejtën që zyrtarët e korruptuar ia kanë marrë peng. 

Korrupsioni, në Shqipëri e kudo, nuk nxitet nga populli, por ai i imponohet përmes zyrtarëve të korruptuar, policëve të inkriminuar, mjekëve të pangopur, arsimtarëve të politizuar. Dhe përpara se të flasësh për ndryshim mentaliteti në këtë mjedis të krijuar jo nga shoqëria, por nga politika, duhet të vësh kujën për këtë mënyrë qeverisjeje që e ka shtrirë korrupsionin në çdo nivel. Dhe këtë e thonë vetë raportet ndërkombëtare. 

Nëse Marta Kos i rreh shpatullat një kryeministri që është kapur me presh në dorë tek inceneratorët, tek koncesionet në shëndetësi, tek tenderat e rrugëve, tek tenderat e veprave të mëdha ku përjashton nga gara vetë kompanitë europiane, si në rastin e portit të Durrësit, çfarë mesazhi i jep ajo shoqërisë shqiptare? 

Kur ajo na e sugjeron këtë qeveri si të “shkëlqyer” ajo po na thotë hapur se jemi të detyruar të baëshkëjetojmë me këtë sistem të korruptuar të ngritur në këmbë nga politikani i saj i preferuar, jo si mënyrë zgjedhjeje e jona, por si mënyrë imponimi, që derivon nga zgjedhjet e vjedhura dhe vjedhja e parasë publike për të blerë pushtet.  

Problemi me deklaratën e Komisioneres nuk është vërtetësia e saj, sepse korrupsioni vërtet ushqehet nga apatia kolektive, nga mungesa e reagimit shoqëror, por ai as krijohet nga shoqëria dhe as shoqëria nuk është ajo që punon e lufton për të jetuar në korrupsion. 

Nuk ka asnjë qytetar, përveç një kaste politike apo të administratës, e cila është pasuruar nga aferat korruptive, që të thotë se i pëlqen korrupsioni. Është njësoj si të pranosh atë meme-n që po qarkullon në internet me një politikan afrikan që deklaron se “korrupsioni është i keq vetëm nëse ai nuk përfiton prej tij”. 

Ne shqiptarët nuk jemi përfitues të korrupsionit. Jemi viktima historike të tij. Përfituesit e vetëm janë qeveritarët tanë të korruptuar, derivatët e tyre në administratë dhe kriminelët. 

Fakti që ky argument relativizohet edhe lart në Bruksel është shqetësues, aq më tepër tani kur shqiptarët presin që, në kulmin e pamundësisë së tyre për të rrëzuar një regjim si i Edi Ramës që kontrollon gjithçka, të paktën Europa t’i tregojë me gisht zyrtarët e korruptuar dhe të mos i detyrojë shqiptarët t’i thonë “derrit dajë”. 

Duke e cilësuar korrupsionin si një fenomen kulturor, Brukseli që foli nëpërmjet Marta Kos, rrezikon të amnistojë përgjegjësinë direkte të ekzekutivit në krijimin e atij sistemi që e bën ryshfetin të pashmangshëm dhe ua imponon shqiptarëve si mënyrë jetese. 

Në këtë kontekst, nuk ishte e papritur që opozita e priti këtë deklaratë me thikë në dhëmbë, duke e etiketuar si “raciste” dhe “pro-qeveritare”. 

Frika tani është se edhe Brukseli po i tradhëton shqiptarët dhe demokracinë në emër të stabilokracisë, duke treguar pa drojë se është gati ta pranojë krahëhapur korrupsionin në emër të stabilitetit rajonal. 

Ky është një film që shqitparët e kanë parë me kohë dhe mendonin se ishte prodhim i përkohshëm si ato të Kinostudios Shqipëria e Re që i shërbenin regjimit komunist e që duhej harruar. Tani Brukseli po na e shfaq si një prodhim të ri. Problemi është se aktorja e re e luajti më keq se paraardhësit rolin e saj. Ata të mëparshmit, nuk patën tentuar kurrë ta vënë politikën kundër popullit të vet. 

Sepse, nëse fajtor është mentaliteti i popullit, atëherë lufta politike humbet kuptimin. Imagjinoni një opozitë duke bërë fushatë me idenë që për korrupsionin s’mund të flasim, sepse Brukseli atje lart na thotë se ai është problem që e keni vetë ju dhe jo qeveria. Tani imagjinoni Edi Ramën, që, për Belinda Ballukun, Arben Ahmetajn, Erjon Veliajn, Lefter Kokën, Ilir Beqajn, Saimir Tahirin, Alqi Bllakon, Jurgys Çyrben, Elvis Rroshin e me radhë, të na thotë se fajin e kemi ne, sepse kështu na ka thënë Marta Kos. 

Postime të lidhura