Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës skandaloze të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, për “spastrim etnik” të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thekson se Shqipëria ka reaguar zyrtarisht përmes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke shtuar se një shtet që respekton veten nuk ka pse të përgjigjet ndaj çdo deklarate provokuese që vjen nga Beogradi.
“Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë”, shkruan Rama.
TË LIDHURA
Mbi 50 deputetë opozitarë në Serbi kërkojnë shkarkimin e ministres Paunoviç pas deklaratës për Kosovën
“Do ta spastroja etnikisht Kosovën”, Hoxha dënon deklaratën e ministres serbe: Fyerje e rëndë dhe e papranueshme
Deklarata për spastrim etnik, Kosova shpall ‘non grata’ ministren serbe
Tirana zyrtare dënon deklaratën e ministres serbe
Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu edhe reagimet e disa zërave në Tiranë, duke i akuzuar se shfrytëzojnë situata të tilla për protagonizëm politik.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën. Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës”, shton Rama.
Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten…
— Edi Rama (@ediramaal) July 16, 2026
Më 14 korrik, Kosova e shpalli “non grata” ministren Paunoviç, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e saj. Ministrja serbe tha se po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Një ditë më vonë, ajo deklaroi se nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj dhe tha se mbështet politikën e Partisë Socialiste të Serbisë, ku është anëtare që prej vitit 1992.
“Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana shumë të vështira historike dhe emri ynë është përmendur më së shumti në Hagë”, theksoi ajo.
Deklaratat e saj u dënuan nga Bashkimi Europian, autoritetet e Kosovës dhe Tirana zyrtare.
I nxehti përvëlues merr mbi 12 mijë jetë në Europë, ekspertët: Duhet trajtuar si emergjencë