zoom

Aktualitet

Berisha: Dënoj heshtjen e qeverisë ndaj ministres serbe, të shpallet “non grata”

Berisha: Dënoj heshtjen e qeverisë ndaj ministres serbe, të shpallet “non grata”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres serbe Snezana Paunoviç për Kosovën, duke akuzuar qeverinë shqiptare për mungesë reagimi dhe duke kërkuar shpalljen e saj “non grata”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se opozita e ka dënuar qëndrimin e ministres serbe dhe ka kërkuar, përveç shpalljes së saj “non grata”, edhe ngritjen e një padie ndaj saj.

Sipas kreut të PD-së, fakti që Paunoviç vijon të mbajë detyrën tregon, sipas tij, se ajo përfaqëson qëndrimet e autoriteteve më të larta serbe. Ai kritikoi edhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke e cilësuar të papranueshme mungesën e një reagimi zyrtar nga Tirana.

“Dënoj heshtjen prej vasali dhe të turpshme të qeverisë shqiptare ndaj ministres së Beogradit”, deklaroi Berisha, duke shtuar se qeveria, sipas tij, mban standarde të ndryshme në raport me zyrtarë dhe qytetarë të vendeve të rajonit.

Në përfundim, Berisha akuzoi qeverinë Rama për një politikë që, sipas tij, favorizon Beogradin, ndërsa përsëriti thirrjen për reagim institucional ndaj deklaratave të ministres serbe./ Zoom.al

Postime të lidhura