zoom

Lajme

Deklarata e ministres serbe ndez debatet në Parlament. Opozita akuzon Ramën, përgjigjet Balla: U bëmë si kalamajt e kopshtit

Deklarata e ministres serbe ndez debatet në Parlament. Opozita akuzon Ramën, përgjigjet Balla: U bëmë si kalamajt e kopshtit

Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës, ku në qendër të përplasjeve ishin deklaratat e fundit të ministres serbe Snezhana Paunoviç për Kosovën dhe qëndrimi që ka mbajtur mazhoranca për këtë çështje.

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka mbajtur qëndrime të dëmshme ndaj Kosovës dhe se afrimi i tij me presidentin serb Aleksander Vuçiç ka krijuar klimën që zyrtarë serbë të sulmojnë publikisht shqiptarët e Kosovës.

Sipas Kaprit, Rama ka qenë i vetmi kryeministër shqiptar pas Enver Hoxhës që ka vizituar Beogradin pa e vendosur Kosovën në qendër të diskutimeve, ndërsa kujtoi edhe deklaratat e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas të cilit Rama kishte propozuar ndarjen e Kosovës. Ai shtoi se heshtja e kryeministrit ndaj deklaratave të ministres serbe i jep asaj kurajë për të sulmuar shqiptarët.

“Ku e gjen guximin ministrja serbe që fyen rëndë shqiptarët e Kosovës, sepse gjen në Tiranë një aleat që hesht”, deklaroi deputeti.

Në të njëjtën linjë, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, kërkoi që kryeministri Rama të reagojë personalisht ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, duke theksuar se thirrjet për spastrim etnik përbëjnë krim kundër njerëzimit. Muçi akuzoi kreun e qeverisë për heshtje, ndërsa shtroi pyetjen se për çfarë do të flasë kryeministri nëse nuk reagon ndaj deklaratave të tilla.

Përballë këtyre akuzave, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se reagimi institucional i Shqipërisë ishte i menjëhershëm përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai e cilësoi të papranueshme përdorimin e çështjeve kombëtare për përfitime politike dhe akuzoi opozitën për populizëm.

Balla theksoi se Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht pavarësinë e Kosovës dhe procesin e integrimit të saj në NATO dhe Bashkimin Europian.

“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme por indinjuese dhe të rëndë të një anëtare të qeverisë së Serbisë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme në mënyrë të menjëhershme. Ndërkohë, këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, por janë çështje të një rëndësie kombëtare, që nuk mund të tallemi për një aspekt procedural që një kadet i ri në Kuvendin e Shqipërisë kujton se mund të marrë vëmendje politike.

Ne nuk tallemi me çështjet kombëtare. Nuk jemi ne karagjozë, si puna jote. Dhe qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga Ministri i Jashtëm, e kemi mbajtur në nivel politik. Kam nderin të jem kryetar i këtij grupi parlamentar dhe kam reaguar shumë përpara teje, meqë u bëmë si kalamajtë e kopshtit këtu, që duhet të themi kush ka reaguar. Ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë, në emër të këtij grupi parlamentar, bashkë me ata që ke në atë kafazin tënd politik. Dhe, natyrshëm, natyrshëm, ky akt i dënueshëm është dënuar edhe nga autoritetet politike përfaqësuese me të cilët ne komunikojmë, Komisioni Evropian në të gjitha nivelet, qoftë në nivelin e komisioneres Marta Kos, por edhe në të gjitha nivelet e tjera. Dhe Shqipëria, kur reagon po reagon bashkë me aleatët e vet, dhe prandaj është turp që të vish dhe të bësh politikë.

Sa i përket Edi Ramës, ti dhe ata shokët e tu duhet të lani gojën mirë, sepse Edi Rama është i vetmi kryeministër në historinë e këtij vendi që nga 1912, i cili çështjen e Kosovës e ka ngritur mu në mes të Beogradit, dhe e ka bërë me dije qartësisht edhe së fundmi në Bruksel, edhe në Beograd, në tetor të vitit 2014, që Kosova është shtet i pavarur. Dhe Shqipëria, Shqipëria mbështet fuqimisht, jo vetëm e ka mbështetur pavarësinë, sot mbështesim fuqimisht anëtarësimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Faleminderit”, tha Balla.

Në debat u përfshi edhe deputeti socialist Ardit Bido, i cili hodhi poshtë akuzat e Kaprit, duke i cilësuar ato populiste. Bido tha se Shqipëria ka qenë e qartë në mbështetjen e saj për shtetin e Kosovës dhe akuzoi partitë e vogla opozitare se nuk treguan të njëjtin angazhim kur në Kuvend u diskutua rezoluta për dënimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Çamërisë./ Zoom.al

Postime të lidhura