Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 55-vjeçares Bardhe Ziçi, e cila u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj Shtjefën Ziçi më 9 korrik në Shkodër. Policia ka ngritur si pistë kryesore të hetimit një konflikt të mundshëm të lidhur me xhelozinë mes çiftit, por avokatët e Shtjefën Ziçit e kundërshtojnë këtë version dhe pretendojnë se ngjarja ka qenë aksidentale.
Sipas burimeve hetimore, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, në zonë dyshohet se para krimit ka pasur një debat mes çiftit. Shtjefën Ziçi i ka kërkuar bashkëshortes telefonin e saj. Ajo ka refuzuar t’ia japë, çka ka sjellë një përplasje verbale mes tyre. Pas debatit, 62-vjeçari është futur në banesë, ka marrë çiften që e mbante me leje dhe ka qëlluar ndaj bashkëshortes së tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Burime pranë palës mbrojtëse bëjnë me dije se Shtjefën Ziçi ende nuk ka dhënë një dëshmi zyrtare për grupin hetimor, pasi ndodhet në gjendje të traumatizuar. Sipas mbrojtjes, ai do t’i qëndrojë versionit se vrasja ka qenë aksidentale.
Sipas këtij versioni, Ziçi ka marrë armën për ta pastruar dhe nuk ka qenë në dijeni se në të kishte fishekë. Ai pretendon se çiftja ishte mbushur disa ditë më parë nga bashkëshortja e tij, pa e vënë atë në dijeni.
Megjithatë, hetuesit dyshojnë se motivi lidhet me konfliktet dhe xhelozinë mes çiftit, bazuar në pamjet e siguruara, dëshmitë e marra dhe veprimet e kryera para ngjarjes.
Në momentet e para pas arrestimit, në vendngjarje, Shtjefën Ziçi mësohet t’u ketë thënë hetuesve se “nuk është penduar që e ka vrarë gruan e tij”. Kjo deklaratë, sipas burimeve, nuk është marrë si dëshmi zyrtare, por vetëm si një reagim i momentit gjatë arrestimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30 të 9 korrikut në unazën lindore të Shkodrës. Pas një debati në një dyqan pranë banesës së tyre, 62-vjeçari u fut në shtëpi, mori çiften dhe qëlloi dy herë ndaj bashkëshortes së tij në pragun e banesës. 55-vjeçarja tentoi të largohej, por plumbat i morën jetën.
Shtjefën dhe Bardhe Ziçi ishin prindër të dy fëmijëve, një djali që jeton në Kanada dhe një vajze që punon si oficere në repartin ushtarak në Vau Dejës. Në zonë ata njiheshin si një çift i qetë dhe banorët shprehen se nuk kishin dijeni për konflikte të mëparshme mes tyre.
Shtjefën Ziçi punonte si taksist me makinën e tij private, ndërsa ndihmonte edhe në furnizimin e dyqanit ushqimor që menaxhonte bashkëshortja e tij.
Pas ngjarjes, ai u arrestua në vendin e krimit, pasi nuk u largua nga aty dhe nuk bëri rezistencë.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se Shtjefën Ziçi ka lënë porosi që për bashkëshorten e tij të kryhen të gjitha nderimet dhe ceremonia mortore të organizohet nga familja ku ajo ishte martuar, sipas traditave të zonës së Dukagjinit. /Zoom.al