Aplikacion
Një ngjarje e rëndë u regjistrua në Milano, ku një 23-vjeçare është plagosur rëndë me thikë brenda stacionit “Duomo” të metrosë.
Sulmi ndodhi në platformën e linjës M3, ndërsa autoritetet italiane arrestuan pak minuta më vonë autorin e dyshuar, një 27-vjeçar me origjinë algjeriane.
Sipas hetimeve të para, i riu iu afrua vajzës duke e akuzuar se po e shikonte. Debati mes tyre u përshkallëzua shpejt në dhunë fizike. Fillimisht ai e goditi me grusht, ndërsa më pas nxori një thikë të vogël dhe e sulmoi, duke i shkaktuar një plagë të thellë që shtrihet nga cepi i gojës deri në qafë.
E reja u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët po vlerësojnë nëse dëmtimet do t’i shkaktojnë pasoja të përhershme në fytyrë.
Sipas dëshmive të personave që ndodheshin në vendngjarje, gjatë sulmit autori i dyshuar i është drejtuar viktimës me fjalët: “Ti je grua. Unë jam burrë dhe mysliman. Nuk duhet të më shikosh.”
Këto deklarata po analizohen nga hetuesit, të cilët po verifikojnë nëse sulmi ka qenë i motivuar nga urrejtja ndaj grave, motive fetare apo një kombinim i të dyjave.
Pas ngjarjes, autori u largua me shpejtësi nga stacioni, por u lokalizua dhe u arrestua nga patrullat e Policisë Lokale në Via Torino, vetëm pak qindra metra larg vendit të sulmit.
Nga hetimet rezulton se i njëjti person ishte ndaluar edhe në orët e para të së njëjtës ditë për tentativë vjedhjeje të rëndë. Pas procedurës gjyqësore të përshpejtuar, ai ishte liruar me masën e ndalimit të qëndrimit në Milano, masë që dyshohet se e kishte shkelur vetëm pak orë më vonë, duke kryer sulmin e rëndë në metro.
Ndaj 27-vjeçarit rëndojnë akuzat për plagosje të rëndë, shkaktim të dëmtimeve të përhershme në fytyrë dhe kundërshtim të forcave të rendit./ Zoom.al