Aplikacion
Një lëvizje e paprecedentë, e cila pritet të shkaktojë një tërmet teknologjik dhe social në mbarë Europën, po kopsitet në zyrat e larta të pushtetit në Bruksel. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është hedhur në një ofensivë totale për të ndaluar me ligj përdorimin e rrjeteve sociale për të rinjtë në të 27 vendet anëtare të BE-së.
Sipas prapaskenave të zbardhura, të hënën do të publikohet një raport bombastik i ekspertëve të shëndetit dhe psikologjisë, i cili do të shërbejë si “baza e hekurt e provave” për të detyruar qeveritë skeptike që të pranojnë ligjin e ri europian. Ligji, i cili tashmë është draftuar në fshehtësi nga departamenti i teknologjisë i KE-së, pritet të shpallet zyrtarisht në shtator të këtij viti.
Ky vendim drastik i von der Leyen nuk është një rrufe në qiell të hapur. Pas vendosjes së ndalimit të rrjeteve sociale për të miturit në Australi, Indonezi, Malajzi e Turqi, kryeqytetet kryesore europiane kanë nisur një garë të ethshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka kthyer këtë në krye të agjendës së tij, duke marrë dritën jeshile që Franca të nisë bllokimet që këtë shtator. Presioni mbi Brukselin është rritur ndjeshëm edhe nga Athina, Kopenhaga dhe Madridi, të cilat po përgatisin ligjet e tyre kombëtare brenda vitit. Përballë rrezikut që çdo shtet të veprojë sipas kokës së vet – çka do të krijonte një kaos ligjor për gjigandët e “Big Tech” si TikTok, Instagram apo X – Komisioni Europian ka vendosur të ndërhyjë me një dorë të fortë qendrore.
Mbështetja politike brenda BE-së duket e sigurt. Deri më tani, të paktën 14 shtete anëtare janë deklaruar plotësisht “pro”. Ministri i Çështjeve Digjitale i Polonisë, Dariusz Standerski, konfirmoi se sondazhet tregojnë që mbi 70% e publikut mbështet masat drastike dhe verifikimin e rreptë të moshës në internet. “Fëmijët gjashtë apo shtatë vjeç po ekspozohen ndaj përmbajtjeve të tmerrshme, pornografisë, krimit dhe bullying-ut,” deklaroi Standerski.
Megjithatë, jo të gjithë janë të lumtur. Shtetet me zhvillim të lartë digjital, si Estonia, po e konsiderojnë procesin e von der Leyen si të njëanshëm dhe të paragjykuar. Nga ana tjetër, një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë i kanë dërguar një letër paralajmëruese presidentes së KE-së, duke argumentuar se një ndalim i tillë i prerë shkel të drejtat e fëmijëve dhe se mjetet teknologjike të kontrollit të moshës (të cilat deri tani kanë shfaqur herë pas here probleme sigurie) mund të dështojnë në terren, ashtu siç po ndodh aktualisht në Australi.
Pavarësisht debateve, makineria e Brukselit është vënë në lëvizje. Fjalimi i shtatorit për Gjendjen e Bashkimit Europian pritet të jetë momenti i së vërtetës, ku adoleshentët europianë mund të përballen me vendimin që do t’i lërë jashtë botës virtuale. /Zoom.al