zoom

Aktualitet

Plagosja e 32-vjeçares në Durrës, flet fqinja: Nuk e njoha, ishte e larë në gjak

Plagosja e 32-vjeçares në Durrës, flet fqinja: Nuk e njoha, ishte e larë në gjak

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me plagosjen e rëndë të një 32-vjeçareje në Durrës, e cila dyshohet se u sulmua me thikë nga ish-bashkëshorti i saj.

Një fqinjë, e cila ishte personi i parë që i dha ndihmë të plagosurës, ka rrëfyer momentet e para të ngjarjes. Sipas saj, rreth orës 03:00 të mëngjesit u zgjua nga thirrjet për ndihmë.

“Dëgjova një zë që bërtiste ‘Ndihmë, ndihmë!’. Kur dola te dera, ajo më tha: ‘Më kanë qëlluar me thikë’. Në fillim nuk e njoha, sepse ishte e mbuluar e gjitha me gjak”, tregoi fqinja.

Sipas dëshmisë së saj, 32-vjeçarja kishte arritur të zbriste vetë shkallët nga kati i dytë, por sapo mbërriti pranë hyrjes së godinës u rrëzua përtokë. Menjëherë u njoftuan shërbimet e emergjencës dhe policia.

Fqinja deklaroi se nuk kishte dijeni për rrethanat e sulmit, por pohoi se gruaja ishte e divorcuar dhe jetonte e vetme me qira, ndërsa dy fëmijët e saj qëndronin pranë familjarëve. Ajo shtoi se nuk kishte parë asnjëherë ish-bashkëshortin ose persona të tjerë të hynin në banesën e saj.

Sipas hetimeve, çifti kishte qenë i ndarë, por kishte tentuar të ribashkohej. Dyshohet se një konflikt mes tyre gjatë natës përfundoi me plagosjen e rëndë të 32-vjeçares.

Policia vijon kërkimet për autorin e dyshuar, ish-bashkëshortin 40-vjeçar, i cili është larguar nga vendngjarja dhe mbetet në arrati./ Zoom.al

Postime të lidhura