Aplikacion
Lindita Nikolla ka dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetares së Parlamentit.
Ajo njoftoi se do të largohet nga posti në një fjalim të mbajtur nga foltorja e Kuvendit.
Nikolla njoftoi se largimi i saj pas pothuajse 3 vitesh si kryeparlamentate ndodh për shkak të një situate personale shëndetësore, e cila ia bën të pamundur kryerjen e detyrës.
“Këtu mbyllet shërbimi im 3-vjeçar në krye të vendit si rezultat i një situate personale shëndetësore që ma bën të pamundur të kryej detyrën. Jam përpjekur të jap më të mirën cdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së Parlamentit pa i hyrë kujt në hak në këtë sallë, Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër, ju siguroj s’e kam pasur qëllim. Fatmirësisht kur kam marrë edhe sulme verbale, më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë.
Ju falënderoj të gjithëve, falënderoj administratën, punonjësit e shërbimit dhe ju uroj të gjithëve të keni angazhim dhe shëndet të plotë për të vijuar. Largimi im është i padëshiruar por i nevojshëm“, tha Nikolla.
Deputetja e PS u zgjodh në krye të Kuvendit të Shqipërisë në shtator 2021.
Ajo mori për herë të parë postin e kryeparlamentares me 79 vota pro dhe 4 vota kundër.