zoom

Aktualitet

Lëvizte mes Brazilit dhe Paraguait prej dy vitesh, detaje nga arrestimi i Ervin Matës! 39-vjeçari me identitet të rremë e pasaportë false

Lëvizte mes Brazilit dhe Paraguait prej dy vitesh, detaje nga arrestimi i Ervin Matës! 39-vjeçari me identitet të rremë e pasaportë false

39 vjeçari Ervin Mata, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, u arrestua në Brazil me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Mësohet se Ervin Mata, ish i dashuri i Elvana Gjatës, më shumë se dy vitesh fshihej në Amerikën Latine, duke lëvizur mes Brazilit dhe Paraguait. Në momentin e arrestimit, ai ka paraqitur dokumente të falsifikuara nga Paraguai, ku figuron si i lindur në Mbretërinë e Bashkuar, me vlefshmëri deri në vitin 2030. Po ashtu, iu gjetën edhe dokumente të tjera të dyshuara të falsifikuara, përfshirë një kartë identiteti dhe pasaportë bullgare të skaduar.

39-vjeçari u kap në periferi të São Paulos, në qytetin Ilha Bela, së bashku me disa shtetas të tjerë të dyshuar si pjesë e rrjeteve të narkotrafikut.

Sipas hetimeve, Mata akuzohet se ka koordinuar një grup të strukturuar kriminal për trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë. Grupi dyshohet se vepronte në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa vende të Europës.

Në kuadër të këtij procedimi, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar Matës masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “kryerja e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale”.

Operacioni për kapjen e tij u realizua në kuadër të aksionit ndërkombëtar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Brasilia.

Aktualisht, autoritetet shqiptare dhe ato braziliane po vijojnë procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit drejt Shqipërisë.

Postime të lidhura