zoom

Aktualitet

Si u fsheh në “ishullin e mafies” Ervin Mata, në hijen e historisë së Tommaso Buscetta! Kush e tradhtoi bosin e drogës?

Si u fsheh në “ishullin e mafies” Ervin Mata, në hijen e historisë së Tommaso Buscetta! Kush e tradhtoi bosin e drogës?

Ervin Mata, i shfaqur në publik si një biznesmen në fushën e ndërtimit, u arrestua katër ditë më parë në ishullin Ilhabela, në Brazil. Ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare prej vitesh, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza të ngritura nga SPAK për përfshirje në disa episode të trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Europës dhe Shqipërisë.

Gjatë kësaj periudhe, Mata kishte arritur t’i shmangej arrestimit duke lëvizur mes vendeve si Amerika Latine, Spanja dhe Brazili, në një kohë kur në Tiranë vijonin hetimet për aktivitetet e tij të dyshuara kriminale, përfshirë trafikimin e drogës dhe krijimin e një organizate kriminale.

Sipas raportimit të CNN Brazil, arrestimi i tij u krye në Ilhabela, në bregdetin e São Paulo-s, gjatë natës së së shtunës (25), në një operacion të përbashkët të Policisë Federale dhe asaj Ushtarake vendase.

Deri disa vite më parë, Mata njihej në Tiranë kryesisht për aktivitetin e tij në ndërtimin e kullave të banimit dhe objekteve të biznesit. Emri i tij u bë më i njohur publikisht pas përplasjes me Ervis Martinajn, në ngjarjen e njohur si “masakra e Bllokut”.

Raportohet se ai kishte zgjedhur të jetonte në Ilhabela, një ishull turistik në brigjet e Brazilit, i njohur edhe për historinë e tij të lidhur me krimin e organizuar. Pikërisht aty, në vitet 1970, jetoi edhe Tommaso Buscetta, një nga figurat më të rëndësishme të mafies siciliane.

Në atë kohë, ishulli konsiderohej një destinacion i qetë turistik, ku Buscetta, nën identitet të rremë, organizonte rrjete të trafikut të drogës drejt Amerikës së Veriut, duke përdorur si rrugë detare ashtu edhe ajrore.

Nuk është e qartë nëse zgjedhja e Matës për të jetuar në këtë ishull lidhet me historinë e tij apo thjesht me stilin e jetesës që ofron zona, e njohur për qetësinë dhe luksin./ Zoom.al

Postime të lidhura