zoom

Lajme

Skandaloze/ Kuvendi u kërkon deputetëve të nderojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha. Reagon ashpër opozita dhe shoqëria civile

Skandaloze/ Kuvendi u kërkon deputetëve të nderojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha. Reagon ashpër opozita dhe shoqëria civile

Instituti Parlamentar ka publikuar listën e personaliteteve kombëtare për muajin Tetor, ku shihet se mes figurave si Dritëro Agolli, Naim Frashëri apo Sulejman Delvina, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka futur edhe ish-diktatorin Enver Hoxha.

Madje, nga Kuvendi i Shqipërisë, Enver Hoxha përshkruhet si udhëheqës i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, si Hero i Popullit dhe Hero i Punës Socialiste.

Deputetët e opozitës kanë kërkuar që ish-diktatori të hiqet menjëherë nga lista e personaliteteve kombëtare, por nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë kryeministri Edi Rama dhe më pas do ta zbatojë vetë Niko Peleshi.

Në një reagim në rrjetet sociale, Belind Këlliçi nga PD, e cilëson këtë veprim si “skandaloz, kriminal dhe të turpshëm”, duke e konsideruar një përpjekje të qëllimshme për të manipuluar historinë dhe për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste.

Deputeti i Partisë Demokratike thekson se përfshirja e figurës së Hoxhës në një listë që nderon personalitete të shquara të kombit, bashkë me emra si Sulejman Delvina, Migjeni, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, është një tallje e papranueshme me memorien e mijëra viktimave të regjimit diktatorial.

Deputeti Erald Kapri nga partia Mundësia, e quan po ashtu tallje që Kuvendi i kërkon deputetëve të respektojnë figurën përgjegjëse për vdekjen dhe internimin e mijërave shqiptarëve.

Ai tregon se i ka kërkuar Kuvendit të tërheqë listën.

Edhe shoqëria civila ka reguar për këtë rast, ku Qëndresa Qytetare e cilëson si “akt skandaloz”.

“Futja e emrit të Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të muajit tetor në Kuvend është si të futet emri i Hitlerit në hollet e Bundestagut! Të vendosësh emrin e Enver Hoxhës në krah të Gjergj Fishtës, të cilit ia zhduku edhe varrin, dhe në krah të Mit’hat Frashërit, të cilin e përndoqi deri në vdekje jashtë atdheut, nuk është gabim burokratik, por është akt. Vendosja e emrit të Enver Hoxhës në listën e personaliteteve të Kuvendit të Shqipërisë është e barasvlefshme me vendosjen e Adolf Hitlerit në listën e personaliteteve të Gjermanisë. Qëndresa Qytetare i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të tërhiqet nga ky akt nihilist që nxit përçarje dhe fyerje.”/ Zoom.al

Postime të lidhura