zoom

Ide & Blog

Kuvendi i Niko Peleshit kërkon të nderohet diktatori Enver Hoxha , turpi i një vendi pa kujtesë

Kuvendi i Niko Peleshit kërkon të nderohet diktatori Enver Hoxha , turpi i një vendi pa kujtesë

Niko Peleshi mund të jetë nostalgjik për kohën e komunizmit, në të cilën ai u rrit dhe u formua. Ai mund ta nderojë hapur figurën e diktatorit më të egër të hemisferës veriore pas Stalinit, sepse ligji nuk ia ndalon. Ai mund t’i lexojë në shtëpi e në zyrë librat e diktatorit Enver Hoxha, njeriut që e la Shqipërinë dekada pas vendeve të tjera të rajonit, që vrau me mijëra disidentë, internoi e burgosi shumë të tjerë.

Por në këtë vend, ku familje të shumta ende kërkojnë eshtrat e njerëzve që zhduku regjimi i Enver Hoxhës, Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet Institutit të Parlamentit ka vendosur të nderojë figurën e Enver Hoxhës.

Dhe ky nuk është gabim teknik, por një akt politik i rëndë, i paprecedentë në historinë 35-vjeçare të pluralizmit shqiptar.

Instituti Parlamentar është nën autoritetin e Kuvendit dhe publikimi i kësaj liste është produkt institucional, jo lapsus sekretarie. Dikush e ka hartuar, dikush tjetër e ka redaktuar dhe dikush e ka miratuar.

Dhe pas këtij zinxhiri institucional, Kuvendi u kërkon deputetëve të nderojnë si “personalitet të muajit tetor” diktatorin Enver Hoxha, njeriun që urdhëroi pushkatime pa gjyq, që mbushi burgjet dhe kampet e internimit me intelektualë, klerikë e kundërshtarë politikë, që izoloi Shqipërinë për 4 dekada, që shkatërroi ekonominë, që bëri një popull të jetojë me frikë.

Në çdo vend tjetër ky do të ishte një skandal i përmasave të mëdha kombëtare dhe duhet të kishte ngritur në këmbë njerëzit me ndërgjegje. Por për një vend pa kujtesë, si Shqipëria e Niko Peleshit dhe Edi Ramës, ku realitivizohen si kriminelët politikë ashtu edhe anëtarët e krimit të organizuar, kjo duket diçka normale.

Nëse Kuvendi i Shqipërisë e quan Enver Hoxhën “personalitet”, çfarë duhet të bëjnë familjet e njerëzve që i vrau, çfarë duhet të bëjnë familjet që internoi?

Kuvendi i Shqipërisë duhet të tërhiqet me urgjencë nga kjo lajthitje. Sepse, asnjë diktator nuk mund të nderohet në vend demokratik. Ky është një turp i përmasave kombëtare.

Të nderosh Enver Hoxhën, “është e barabartë me vendosjen e Adolf Hitlerit në listën e personaliteteve të Bundestagut” – shkruan Qëndresa Qytetare, ndër të paktat shoqata që ka reaguar deri tani.

Por mos u çudisni! Në qeverinë e Edi Ramës dhe kuvendin e Niko Peleshit mund të ndodhë edhe kjo dhe çdo gjë të kalojë si të ishte normale. /Zoom.al

Postime të lidhura