zoom

In Zoom

Kullat te stadiumi “Selman Stërmasi”, gozhdë në arkivolin e një qyteti që po varroset nën beton

Kullat te stadiumi “Selman Stërmasi”, gozhdë në arkivolin e një qyteti që po varroset nën beton

Projekti fitues për rindertimin e stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, i shoqëruar me kulla të larta dhe struktura monumentale prej betoni, është vetëm faqja e radhës në kapitullin e një filozofie të kahershme zhvillimi urban që e ka karakterizuar Edi Ramën që nga dita e parë kur pati mundësinë të vendoste për fatin e Tiranës, në vitin 2000 kur u zgjodh kryetar i Bashkisë.

Në vend të një parku urban, për t’i dhënë frymëmarrjeje një zone të mbingarkuar me beton, Edi Rama projektoi aty masivin më të madh të betonit që ka parë ndonjëherë kjo lagje në historinë e saj.

Stadiumi do të mbetet modest, pasi Tirana e ka stadiumin e saj kombëtar. Ajo që do të ndodhë nuk është më transformimi i “stadiumit”. Nuk do të ketë ndërtime në funksion të sportit, por një kompleks gjigant me kulla e qendra tregtare, ku betoni do t’u zërë vendin edhe atyre pak hapsirave publike që shërbenin në një farë mënyrë si shkarkues të mbinkarkesës urbane që ofrojnë dy lagjet më të populluara të kryeqytetit, ish-Blloku dhe Komuna e Parisit.

Ideja e të pasurit evente mode, panaire, koncerte, bare e restorante në një stadium është vetëm një iluzion marketingu urban, një fasadë e rreme që kërkon të fshehë zymtësinë e betonit, njësoj si fshati i Potempkinit që fshihte me fasada kartoni rrënimin e tij.

Ky stadium me masive kullash betoni përreth u shërbehet qytetarëve si model zhvillimi, a thua se ai është më i dobishëm se një park urban, jetik për një qytet.

Ata që jetojnë në kryeqytet janë të vetëdijshëm që Tirana nuk ka më nevojë për beton e për show, por për oksigjen.

Prej më shumë se njëzet jetësh, në Tiranë është eksperimentuar një filozofi e tillë zhvillimi ku çdo copë tokë është parë si potencial për ndërtim. A thua se dejtursit vendeve përreth apo të vendeve të BE-së nuk dinin të ndërtonin kulla të larta e masive betoni në çdo hapësirë të kryeqyteteve të tyre.

Nga ish-parku i lodrave, i kthyer tashmë në një bllok pallatesh, tek Liqeni Artificial që po gërryhet kohë pas kohe me ndërtime kullash të larta, Tirana ka humbur sistematikisht hapësirat e saj publike, saqë është bërë e pajetueshme, kaotike, me trafik e zhurmë në çdo orë të ditës e natës.

Ky është modeli i zhvillimit sipas Edi Ramës, që e ka drejtuar Tiranën për plot 23 vjet, 11 vjet si kryetar bashkie dhe për 12 vjet si kryeministër.

Tirana e Edi Ramës është vendi ku qytetarët e saj nuk trajtohen më si banorë, por si spektatorë që duhet të kënaqen duke soditur projektet që Rama vizaton me lapsa me ngjyra e që shndërrohen në beton mbi çdo hapësirë publike.

Propaganda tentoi në këto vite t’u mbushë mendjen se duhet të kenë një pyll orbital në perifer, pasi vetë qyteti s’ka më vend për pemë. Dhe pikërisht kur bota po sheh gjithnjë e më shumë drejt qyteteve të gjelbra, Tiranës i ka mbetur ora te betoni. Ky lloj koncepti nuk sjell as zhvillim, nuk është as i drejtë, as i qëndrueshëm dhe as për qytetarët. Ai është thjesht një burim fitimi për një grusht njerëzish që pasurohen me ndërtime dhe shkatërrues për shumicën që duan një qytet të jetueshëm.

Tirana është shndërruar në një vend ku ngrihen si kërpudhat pas shiut kulla luksoze, por mungojnë shkollat e spitalet, rrugët e gjera e parqet e vendet për këmbësorët.

Kullat dhe betoni i Edi Ramës mund të japin idenë e një vendi që po zhvillohet, por ato nuk i zgjidhin problemet reale të një qyteti që i mungon oksigjeni e ku zhuli është shndërruar në normalitet.

Këto kulla, sado që mund të duken të bukura nga jashtë, në të vërtetë janë si gozhdë në arkivolin e një qyteti që po varroset nën betonin e prodhuar nga lavatriçet e pastrimit të parave. /Zoom.al

Postime të lidhura