Aplikacion
Rritja e vazhdueshme e çmimit të karburanteve po vë në vështirësi serioze sektorin e transportit publik në vend. Për këtë arsye, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar me një kërkesë urgjente institucioneve kryesore, përfshirë Bashkia e Tiranës, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, situata është bërë e papërballueshme për operatorët, të cilët nuk mund të përballojnë më kostot e larta të funksionimit. Ata paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa konkrete në ditët në vijim, nga java e ardhshme mund të ndërpritet shërbimi për rreth 450 linja transporti në të gjithë Shqipërinë.
Në reagimin e tyre zyrtar, theksohet se ndërhyrja duhet të jetë emergjente, pasi operatorët nuk kanë kapacitet financiar për të përballuar për një kohë të gjatë rritjen e çmimeve të naftës. Mungesa e mbështetjes nga institucionet rrezikon drejtpërdrejt vazhdimësinë e transportit publik, duke prekur mijëra qytetarë që e përdorin atë çdo ditë.
Shoqata nënvizon se pa një reagim të shpejtë dhe konkret nga autoritetet përgjegjëse, sistemi i transportit urban dhe ndërurban mund të përballet me ndërprerje serioze të shërbimit, duke krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen e qytetarëve në gjithë vendin.

