zoom

Ekonomi

Kosto 1 mld euro/ Gjigandi amerikan do të ndërtojë në Shqipëri parkun me energji solare dhe eolike

Amerikanët kanë zgjedhur energjinë e rinovueshme si fusha ku do të investojnë në Shqipëri.

I dërguari i SHBA-së në Shqipëri, David Wisner ka njoftuar se gjigandi amerikan CWP ka shfaqur interes për të ndërtuar në Shqipëri një park energjetik me fuqi të diellit dhe erës.

“Takim me drejtues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për të diskutuar mbi 200 milionë dollarë investime të tyre në Shqipëri, si dhe me zyrtarë të kompanisë amerikane të energjisë së rinovueshme CWP për të diskutuar planet e tyre emocionuese për një projekt të madh për energji nga era dhe dielli në veri të Shqipërisë” shkruhet në postimin e ambasadës amerikane.

Në takimin e mbajtur më 26 shtator në ambientet e ambasadës amerikane ekipi i CWP në Shqipëri me përfaqësues Elvin Guri, Pëllumb Kallaba dhe Ivan Lozanov prezantuan projektin e tyre të energjisë hibride të rinovueshme në verilindje të vendit.

Investimi në Shqipëri

Projekti i parashikuar ka një kosto prej 1 miliard eurosh dhe do të krijojë mbi 1500 vende pune ndërsa përparon nëpër faza të ndryshme. Një kapital i konsiderueshëm do të ndahet për zhvillimin e infrastrukturës vendore, duke ofruar mundësi të konsiderueshme punësimi dhe përmirësime afatgjata në një zonë që ka mungesa investimesh. Projekti mund ta kthejë Shqipërinë në statusin e një eksportuesi neto të energjisë elektrike, duke rritur ndjeshëm sigurinë energjetike rajonale, informon kompania përmes një njoftimi për shtyp.

Kush është CWP?

CWP Global është një kompani amerikane që merret me zhvillimin e energjisë së rinovueshme aktive në pesë kontinente. Ata janë novatorë në zhvillimin e kësaj energjie.

CWP Global është një nga kompanitë Amerikane me ndikim të lartë në projekte të energjisë së rinovueshme në Europën Lindore. Aktualisht CWP po ndërton rreth 6 gigavat të energjisë së rinovueshme në Evropën Juglindore, duke targetuar Shqiperinë si destinacioni me potencialin investues më të madh në rajon.

Duke u mbështetur në historinë e zhvillimit të fermave të erës në Evropën Juglindore dhe Australi, njësia biznesit të hidrogjenit të gjelbër po zhvillon tetë qendra hidrogjeni të gjelbër, me një kapacitet të kombinuar të energjisë së rinovueshme që tejkalon 200 GW.

Me një rekord të arritur në ofrimin dhe menaxhimin e një portofoli ndërkombëtar të projekteve të erës dhe diellit, CWP zhvillon projekte me ndikim real dhe të qëndrueshëm. Për këtë kompani puna me komunitetet lokale dhe palët e interesuara është thelbësore për zhvillimin e suksesshëm dhe është një shtysë e rëndësishme për suksesin.

Rizhvllimi Urban i Tiranës, projekti 200 mln dollarë

Pjesë e takimeve të kësaj jave të të dërguarit të SHBA-së, David Ëisner me zyrtarë të Ambasadës ka qenë dhe me Presidentin në largim të Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaco për ta falënderuar për përpjekjet e tij për të forcuar lidhjet e biznesit SHBA-Shqipëri.

 

Ndërkohë një tjetër projekt që po shihet si mundësi investimi është dhe rizhvillimi urban me vlerë 200 milionë dollarë në Tiranë nga Adriatic Resorts.

“U takuam gjithashtu me investitorë amerikanë nga Adriatic Resorts për të diskutuar planet e tyre për një projekt rizhvillimi urban me vlerë 200 milionë dollarë në Tiranë. Bizneset amerikane mund të jenë kontribuues madhor në zhvillimin e Shqipërisë” shkruhet më tej në postimin e ambasadës i shoqëruar dhe me një fotogaleri nga takimet e mbajtura mes zyrtarëve dhe investitorëve amerikanë