Aplikacion
Konferenca e Kryetarëve nuk ka arritur konsensus lidhur me kërkesën e opozitës për të zhvilluar një mocion me debat mbi raportin e Parlamentit Europian dhe kërkesat e qytetarëve në protestë
Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës kërkuan që parlamenti të dëgjojë zërin e qytetarëve, duke theksuar se institucioni e ka për detyrë të trajtojë shqetësimet e protestuesve, të cilat sipas tyre pasqyrohen edhe në raportin e fundit të PE-së.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se i fshihet debatit nga frika e të vërtetave që përmban rezoluta europiane. Bardhi shigjetoi drejtpërdrejt Taulant Ballën, duke e akuzuar për qëndrime të dyanshme.
“Ju i trembeni debatit për Raportin e PE-së sepse ai ju nxin në çdo fjali. Taulant Balla deklaronte në seancë se mocioni mund të zhvillohej edhe pa u miratuar raporti në PE, ndërsa tani që është miratuar, thotë se nuk mund të bëhet. Pse fshiheni nëse kjo ishte një ‘rezolutë historike’ dhe medalje për qeverinë? Hajdeni ta diskutojmë në seancë,” u shpreh Bardhi, duke shtuar se dokumenti kritikon ligjet klienteliste, lirinë e medias dhe “mbrojtjen politike ndaj korrupsionit të Belinda Ballukut”.
Nga ana tjetër, Taulant Balla u kundërpërgjigj duke akuzuar deputetët e opozitës se po manipulojnë kauzën e qytetarëve dhe i sfidoi ata që të ndërmarrin hapa konkretë ligjorë nëse synojnë rrëzimin e ekzekutivit.
“Keni ardhur këtu duke deformuar kërkesat e protestuesve. Unë nuk ju njoh si përfaqësues të asaj proteste; ju jeni humbësit më të mëdhenj të saj. Nëse keni guxim dhe doni dorëheqjen e qeverisë, ejani, bëni një mocion mosbesimi, mblidhni firmat dhe caktoni kandidatin tuaj për kryeministër”, deklaroi Balla.
Në të njëjtën linjë, deputetja demokrate Jorida Tabaku e cilësoi parlamentin si të shkëputur nga realiteti, duke vënë në dukje se prej gati një muaji qytetarët mbushin sheshet.
“Ju nuk mund të silleni normalisht kur sheshi jashtë është plot prej 25 ditësh. Shqetësimet e tyre për korrupsionin, ekonominë dhe ligjin e investimeve strategjike — që trajton pronën publike si plaçkë — kanë mbërritur deri në Parlamentin Europian. PE ka dënuar mbrojtjen politike që i garantuat imunitetit të Belinda Ballukut. Dëgjoni qytetarët dhe ndalni sulmet ndaj tyre”, tha Tabaku.
Bardhi vijoi me kritika të ashpra, duke pretenduar se mazhoranca përdor metoda vëzhgimi dhe denigrimi ndaj protestuesve në vend që t’u përgjigjet kërkesave të tyre: “Është absurde që 20 eurodeputetë flasin për protestën në Shqipëri, ndërsa ju rrihni gjoksin për integrimin por fshiheni pas vrimës së çelësit për të sulmuar qytetarët.”
Ndërsa deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u bashkua me qëndrimin e opozitës duke e quajtur “absurd” anashkalimin e tubimeve dhe këmbënguli që kërkesat e shqiptarëve duhet të jenë kryeaxhenda e punimeve të Kuvendit.