zoom

Politikë

Konferenca e Kryetarëve/ Bardhi kërkon mocion për debat për drogën e Xibrakës, mazhoranca e rrëzon

U mbajt sot mbledhja e radhës e Konferencës së Kryetarëve, ku nuk munguan replikat dhe debatet mes kampeve politike dhe këtë herë ishte një tjetër kërkesë e opozitës.

PD ka kërkuar mocion me debat për çështjen e trafikut të drogës, laboratorin e kokainës në Xibrakë, ku akuzohet i përfshirë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama. Seancën e kaluar kërkesa për interpelancë me kreun e qeverisë u rrëzua nga mazhoranca, me pretendimin se nuk bëhej fjalë për çështje që lidhte direkt Kryeministrin dhe punën e tij.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi kërkoi mocion për çështjen e trafikut të lëndëve narkotike, kurse Bledi Çuçi u shpreh se kjo çështje ishte ezauruar më parë, duke e rrëzuar sërish opozitën.

Replikat në mbledhje:

Bardhi: Ju mund të jeni dakord që të mos ekzistoje opozita, por s’e keni në dorë ju. Kërkesa për mocion me debat, është e drejtë e opozitës. Ju folët për çeshtje të ezauruar, por ju kujtoj se laboratori i Xibrakës nuk është çështje e ezauruar. Ka një dosje të veçuar, e cila është sirtar dhe nuk nuk është trajtuar. Raporet ndërkombëtare flasin për një problem të shtuar të trafikut të drogës. Prandaj do duhet të ketë mocion për këtë çështje. Por ju s’keni interes kur folët për grabitje prone, s’keni interes kur folët për ekonominë, s’keni interes kur folët për krimin.

Po në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, tha se nuk e mbështesin kërkesën e opozitës për mocion me debat, sepse çështjet për të cilat është kërkuar janë ezauruar nga gjyqësori apo edhe në komisione hetimore parlamentare.

Bledi Çuçi: S’kemi si te vendosim sot një datë për mocionin, kur mendojmë se ky mocoion s’duhet zhvilluar fare pasi janë cështje të stër-ezauruara. Nga mënyra si eshte parashtruar kerkesa s’ka vend fare per mocion. Kerkesa e opozites lidhet me ceshtje qe jane gjykuar nga drejtesia madje edhe me vendime të formës se prerë, qe jane ezauruar edhe ne debatet parlamentare dhe komisionet hetimore parlamentare. Nuk mund te ulemi sot te flasim per daten e një mocioni. /ZOOM.AL/