zoom

Lajme

Bardhi pas mbledhjes së PD: Nesër duhet të kishte mocion për debat, PS po mbron Olsi Ramën!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat ditën e sotme, deklaroi se nesër në Kuvend duhet të kishte debat me mocion.

Kjo kërkesë u refuzua dje pas një mbledhjeje të tensionuar me akuza dhe replika te Konferenca e Kryetarëve në Kuvend. Mazhoranca e drejtuar nga Bledi Çuçi e cilësoi të pavend dhe pa motiv kërkesën, duke thënë se ishte trajtuar dhe refuzuar më parë me votim, kur PD kërkoi interpelancë me kryeministrin Edi Rama për çështjen e Xibrakës.

Bardhi thekson se deputetët në Parlament po bëjnë avokatin e Olsi Ramës. Sipas tij, mazhoranca nuk po respekton institucionet që qëndrojnë mbi palët politike, duke shkallmuar demokracinë.

“Nesër duhet të ishte mocion me debat në parlament. Deputetët po bëjnë avokatinë e Olsi Ramës. Edhe pse kemi kallëzuar Olsi Ramën prej 1 muaji, nuk kemi përgjigje se çfarë bënte vëllai i kryeministrit në një makinë me autorët? Grupi parlamentar i mazhorancës beson se Kuvendi është mbi gjithçka. Janë rrëzuar institucione të rëndësishme për demokracinë”, u shpreh Bardhi.

Bardhi e ka akuzuar vëllanë e kryeministrit të implikuar në laboratorin e kokainës kolumbiane të Xibrakës në vitin 2015, si dhe për lëvizjen me organizatën kriminale, me të njëjtin mjet apo shpëtimin nga arrestimi të Genci Xhixhës, kreut të grupit kriminal, që edhe sot mbetet në arrati. /ZOOM.AL/