Aplikacion
Këshilli i Lartë i Prokurorisë po përballet me kritika pas publikimit të një skandali që përfshin një prej anëtarëve të tij, ndërsa deri më tani nuk ka marrë një vendim për pezullimin nga detyra.
Pas investigimit të emisionit Stop, ku u publikuan materiale komprometuese, pritej një reagim më i fortë nga KLP. Megjithatë, institucioni është kufizuar në një deklaratë zyrtare, duke bërë me dije se çështja është në proces verifikimi dhe se është referuar për shqyrtim në organet kompetente.
Rasti lidhet me Olger Eminajn, për të cilin janë ngritur akuza për sjellje të papërshtatshme në komunikim me një qytetare që kishte kërkuar ndihmë.
Raportohet se qytetarja kishte kërkuar ndihmë pas një situate të vështirë familjare dhe ligjore, por në vend që të merrte mbështetje institucionale, komunikimi me zyrtarin ka devijuar në mesazhe me përmbajtje intime. Sipas publikimeve, këto komunikime janë zhvilluar edhe gjatë orarit zyrtar dhe në ambiente shtetërore.
Reagimi i plotë:
Tiranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka ndjekur me shqetësim përmbajtjen e transmetuar gjatë emisionit investigativ “Stop”, ditën e hënë, datë 23.03.2026.
Në kuadër të transparencës institucionale, KLP informon se ankesa e depozituar nga qytetarja i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.
Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, neni 104, i ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikon se çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese.
Në interes të informimit të drejtë të opinionit publik dhe medias, theksojmë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente, për zbardhjen e së vërtetës. Ndaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike./ Zoom.al
Me shumicë votash, shkarkohet nga detyra kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale