zoom

Lajme

Kërkoi lirimin nga qelia kundrejt garancisë pasurore, GJKKO lë në burg Ilir Metën

Kërkoi lirimin nga qelia kundrejt garancisë pasurore, GJKKO lë në burg Ilir Metën

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kërkoi në Gjykatën e Posaçme, zëvendësimin e arrestit në burg, me një masë tjetër sigurie më të butë.

Ish-presidenti kërkoi arrest shtëpiak ose masë tjetër duke afruar garanci pasurore, por kërkesa iu rrëzua nga GJKKO.  Meta nuk ishte i pranishëm, dhe në seancë u përfaqësua nga avokati. Kujtim Cakrani tha se kërkohet masë më e lehtë, referuar edhe vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë për paraburgimet.

Vendimi i Gjykatës së Lartë,- theksoi Cakrani, “detyron prokurorinë të vlerësojë së pari masa alternative dhe të argumentojë me prova nevojën pse një individ duhet të qëndrojë në paraburgim”. Sipas tij, Ilir Meta “nuk ka rrezikshmëri për arratisje dhe e as rrezik të prishë provat, përfshirë faktin që në çështje nuk ka dëshmitarë të mbrojtur, çka mund të rëndonte pozitën e tij”.

Në mbështetje të Metës në sallën e gjyqit ishin dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe deputetë të Partisë Demokratike, Flamur Noka, Klevis Balliu e Bujar Leskaj.

Postime të lidhura