zoom

Lajme

“Rama akrep, unë shqiponjë”/ Ilir Meta flet nga qelia: Luli më shiti, Berisha s’më merr në telefon! Për Monikën s’mbaj përgjegjësi

“Rama akrep, unë shqiponjë”/ Ilir Meta flet nga qelia: Luli më shiti, Berisha s’më merr në telefon! Për Monikën s’mbaj përgjegjësi

Ish-presidenti Ilir Meta ka komentuar nga qelia e burgut, ku qëndron prej 21 tetorit 2024, arrestimin e tij, Reformën në Drejtësi, SPAK-un, raportin me Edi Ramën dhe situatën në opozitë.

Meta deklaroi se arrestimi i tij ishte i paralajmëruar dhe e cilësoi situatën si një “grusht shteti”, ndërsa tha se problemi i Reformës në Drejtësi qëndron te ligjet që sipas tij janë antikushtetuese.

“Nuk është se nuk e kam pritur mënyrën e arrestimit. Unë kam qenë i ndërgjegjshëm për këtë grusht shteti, që të bëhen ligje mbi Kushtetutën.

S’është faji i 140 votave, problemi është te ligjet antikushtetuese. Ato 140 vota i bëri vetëm Ilir Meta dhe këtë e ka pranuar edhe ambasadori Lu.

Ishte një lojë e madhe që të mos miratohej reforma me konsensus, por të shfrytëzohej si një moment për të përçarë PD-në”, u shpreh Meta për emisionin “Off the Record” në A2 CNN.

Ai akuzoi ish-kreun e PD-së, Lulzim Basha, se me “lojërat e tij” dhe me ndihmën e ish-zyrtarit amerikan Charles McGonigal, i dha Edi Ramës kontroll mbi Reformën në Drejtësi.

Gjatë intervistës, Meta foli edhe për marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se sjellja e tij ndryshoi pasi mori të gjitha pushtetet.

“Unë e njoh z. Rama. Rama ka qenë shumë i urtë kur ka qenë ministër, kur ka qenë vartës, madje edhe kur ka qenë kryeministër në koalicion. Ai vinte çdo ditë në orën 10:00 te Parlamenti. Derisa korruptoi Lulin dhe i mori të gjitha pushtetet, duke nxjerrë fytyrën e vërtetë”, deklaroi Meta.

“Rama ka qenë qengj i urtë. Ai është akrep, unë shqiponjë”, shtoi ish-presidenti.

Meta u ndal edhe te opozita, duke kërkuar më shumë angazhim nga të rinjtë.

“Duhet të jenë të gjithë si Klevis Balliu në vijë të parë të betejës. Duhet të jenë të gjithë si Tedi Blushi në vijë të parë të betejës. Duhet të jenë dy herë më aktivë këta 30-vjeçarët se Sali Berisha”, tha ai.

Ai përmendi edhe Adriana Kalajan si shembull opozitarizmi për kallëzimet e saj të vazhdueshme në SPAK.

I pyetur se çfarë do t’i thoshte Edi Ramës nëse do ta takonte përballë, Meta u shpreh:

“Unë dal përballë cilitdo dhe as nuk e ndërroj rrugën, as nuk i ul sytë. Përpara shqiptarëve do të jem gjithmonë ballëhapur sepse kam mbrojtur interesin kombëtar dhe demokracia për mua është interes kombëtar.”

Në intervistë, Meta mohoi akuzat ndaj tij dhe deklaroi se është i pafajshëm.

“Unë jam i pafajshëm, jo thjesht se e deklaroj. Më thoni një faj timin, një episod, një akuzë dhe t’ju jap përgjigje”, tha ai.

Ai shtoi se nuk komenton përgjegjësinë penale të personave të tjerë.

“Nuk ndaj asnjë mendim lidhur me përgjegjësinë ligjore apo penale për askënd, vetëm për Ilir Metën.”

Meta komentoi edhe letrën që i ka dërguar kreut të SPAK-ut, Klodian Braho, duke thënë se nuk bëhej fjalë për akuza ndaj tij.

“Letra ime është publike dhe shumë korrekte. I është drejtuar atij jo për ta akuzuar për fshehje provash, sepse ai nuk është prokuror i çështjes sime”, deklaroi Meta.

Postime të lidhura