zoom

Lajme

“Ju flisni për lepuj, unë për zagarët”- Shpërthen debati mes Ballës e Nokës: “O injorant”, “Nxirreni jashtë”

“Ju flisni për lepuj, unë për zagarët”- Shpërthen debati mes Ballës e Nokës: “O injorant”, “Nxirreni jashtë”

Një incident ndodhi sot në Kuvend gjatë fjalës së kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Teksa ai po diskutonte mbi çështjen e Avokatit të Popullit, deputeti demokrat Flamur Noka e ndërpreu duke i thënë “injorant”, çka solli reagimin e menjëhershëm të Ballës. Ky i fundit ndaloi fjalën dhe kërkoi që Noka të përjashtohej nga salla.

“Ky zotëria duhet të dalë përjashta, unë e ndërpres fjalën. Derisa të dalë ky jashtë”, u shpreh Balla.

Gjatë fjalës së tij, Balla gjithashtu ironizoi qëndrimet e deputetëve demokratë, të cilët pak më herët kishin kërkuar ndryshimin e rendit të ditës pa dhënë, sipas tij, asnjë argument konkret. Ai përdori edhe metafora për t’i përshkruar debatet e tyre, duke thënë se “nëse flisni për lepuj, duhet të përmendni edhe zagarë”, duke nënvizuar se disa deklarata të opozitës nuk kishin lidhje me temën.

Balla akuzoi demokratët se po tallen me kandidatin për Avokatin e Popullit, Besim Ndregjonin, të cilin e cilësoi si të përndjekur politik, duke shtuar se opozita e ka ditur prej vitesh se ai nuk mund të zgjidhet në këtë post për shkak të moshës mbi 71 vjeç.

“Më vjen keq se talleni me një të përsekutuar politik… e dini që Ndregjoni nuk zgjidhet dot se nuk e lë ligji. Ju talleni me kalanë. Ti s’merr vesh nga ligjet, por ta shpjegoj unë”, u shpreh ai.

Seanca plenare vijoi mes tensioneve të larta dhe ndërhyrjeve nga të dyja palët.

Postime të lidhura