Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila është pjesë e listës së hapur të PD në Tiranë, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me mënyrën se si është zhvilluar gara brenda partisë.
Në një lidhje direkte për emisionin “Log” në News24, Tabaku deklaroi se procesi zgjedhor ka qenë i pabarabartë dhe jashtë çdo parashikimi.
“Vota e kandidatëve është shumë e shpërndarë. Ky proces ka prodhuar një listë të paparashikueshme. Ne nuk e dimë çfarë ndodh nga një zonë në tjetrën,” – tha ajo, duke theksuar se struktura e listave të hapura dhe fushata në të gjithë qarkun e Tiranës ka qenë një sfidë e vështirë, veçanërisht për gratë në politikë.
Sipas Tabakut, ndërsa anëtarësia e PD-së ka treguar vlerësim për të, vota ende po numërohet dhe një analizë e thelluar e rezultatit do të bëhet në një moment të dytë.
“Të jesh në listë të hapur, të jesh grua dhe të bësh fushatë në gjithë qarkun është vërtet strapacuese,” – u shpreh ajo.
Duke e zgjeruar kriticizmin përtej Partisë Demokratike, Tabaku vuri në pikëpyetje edhe standardet zgjedhore në rang kombëtar:
“Këto zgjedhje tregojnë se, ndonëse Shqipëria ka hapur negociatat me BE-në, ende nuk di të organizojë zgjedhje të rregullta. Ky ka qenë një nga proceset më të parregullta që kam parë,” – përfundoi ajo.
Deklaratat e Tabakut vijnë në një moment të ndjeshëm për PD-në, ndërsa gara e listave të hapura ka nxjerrë në pah tensione dhe paqartësi brenda strukturave të partisë.