zoom

Lajme

“Jam shtatzënë me fëmijën tënd!”- Mashtrimi që i kushtoi 200 mijë dollarë futbollistit, e reja dënohet me burg

“Jam shtatzënë me fëmijën tënd!”- Mashtrimi që i kushtoi 200 mijë dollarë futbollistit, e reja dënohet me burg

Një gjykatë në Korenë e Jugut ka dënuar me katër vjet burg një vajzë në të 20-at, e cila akuzohej për shantazh ndaj yllit të futbollit dhe ish-kapitenit të Tottenham, Son Heung-min. Së bashku me të u dënua edhe bashkëpunëtori i saj, një burrë në të 40-at, i cili u shpall fajtor për tentativë shantazhi dhe u dënua me dy vjet burg.

Sipas hetimeve, vajza iu afrua futbollistit vitin e kaluar duke pretenduar se ishte shtatzënë me fëmijën e tij dhe e detyroi të paguante 200 mijë dollarë, duke e kërcënuar se do ta publikonte akuzën nëse ai nuk do të bindjej. Paratë, sipas agjencisë AFP, u përdorën për blerjen e mallrave luksoze.

Prokurorët deklaruan në gjykatë se e akuzuara pretendon se pagesa ishte “kompensim” dhe se ajo ishte viktimë, por “kjo nuk përputhet me faktet e dosjes”. Bashkëpunëtori i saj e kishte kërcënuar Son 15 herë, përpara se futbollisti të vendoste të paraqitej në polici, pasi çifti kërkoi edhe më shumë para këtë vit.

Gjykatësi theksoi se dy të pandehurit kishin përfituar nga fama e Son dhe se lojtari kishte përjetuar “ankth të fortë mendor” pas publikimit të rastit në media.

Son Heung-min, një nga futbollistët më të njohur në Azi, në gusht u transferua nga Tottenham te Los Angeles Football Club, në një nga lëvizjet më të shtrenjta në historinë e MLS. Në tetor ai u rendit si futbollisti i dytë më i paguar në ligë. Në vitin 2022, Son u bë aziatiku i parë që fitoi “Këpuca e Artë” të Premier League.

Postime të lidhura