Aplikacion
“Bisedime që do të fokusohen në çarmatimin e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore midis Izraelit dhe Libanit,” tha nga Izraeli kryeministri Netanyahu.
Jeruzalem – Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi të enjten se kabineti i tij do të fillojë bisedimet për armëpushim dhe çarmatimin e Hezbollahut me Libanin “sa më shpejt të jetë e mundur”, në dritën e frontit aktual aktiv të luftës midis IDF-së (Ushtrisë Izraelite) dhe Hezbollahut dhe bisedimeve të ardhshme të paqes me Iranin në Islamabad.
“Negociatat do të fokusohen në çarmatimin e Hezbollahut dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore midis Izraelit dhe Libanit,” tha kryeministri. Ky njoftim erdhi vetëm pak minuta para se Hezbollahu të lëshonte një breshëri raketash, duke aktivizuar sirenat në veri të Izraelit.
Negociatat, që pritet të fillojnë të martën, do të zhvillohen midis ambasadorit izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, dhe ambasadores libaneze në Shtetet e Bashkuara, Nada Hamadeh Moawad, thanë burime izraelite për “The Jerusalem Post”. Michel Issa, ambasadori i SHBA-së në Liban, pritet të ndërmjetësojë bisedimet, thanë burimet.
Burimet izraelite deklaruan se aktualisht nuk ka armëpushim dhe se forcat izraelite do të qëndrojë në terren në Liban në të ardhmen e afërt për të vepruar kundër çdo kërcënimi nga Hezbollahu.
Libani ka dashur të hapë negociatat me Izraelin për një kohë të gjatë, thanë burime për “KAN News”. Një burim i tha “Post” se kërkesat e Libanit ishin kaluar përmes zyrtarëve si në administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ashtu edhe në qeverinë franceze.
Administrata Trump raportohet t’i ketë thënë qeverisë libaneze “më parë veproni seriozisht për të çarmatosur Hezbollahun, dhe pastaj do të flasim me Izraelin”. Qeveria franceze, nga ana tjetër, u përpoq të promovonte bisedimet midis Libanit dhe Izraelit. Izraeli i refuzoi këto bisedime, tha burimi, pasi akuzoi Libanin se nuk po parandalonte Hezbollahun nga sulmet, duke detyruar IDF-në të vepronte brenda territorit të Libanit.
Zyrtarë të lartë libanezë i thanë Reuters të enjten se bisedimet do të ishin në “shina të ndara, por me të njëjtin model” si bisedimet Iran-SHBA në Pakistan. Ata gjithashtu thanë se nuk është zgjedhur asnjë datë apo vendndodhje për bisedimet e armëpushimit.
Presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi Netanyahut të reduktojë shkallën e sulmeve të Izraelit në Liban në një bisedë telefonike të mërkurën, raportoi NBC News të enjten. NBC citoi një zyrtar të paidentifikuar të lartë të administratës të thoshte se Trump e bëri kërkesën për të ndihmuar në sigurimin e suksesit të negociatave me Iranin.
Sulmet e Izraelit në Liban janë një “shkelje flagrante e marrëveshjes fillestare të armëpushimit,” tha Presidenti iranian Masoud Pezeshkian në një postim të së enjtes në X/Twitter. “Vazhdimi i këtyre agresioneve do t’i bëjë negociatat të pakuptimta. Gishti ynë mbetet në këmbëz. Irani nuk do t’i braktisë kurrë vëllezërit dhe motrat e tij libanezë,” shkroi presidenti iranian.
Gjithashtu të enjten, Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, bëri thirrje për ndalimin e operacioneve të IDF-së në Liban në një postim në X, duke e lidhur çështjen me bisedimet e ardhshme në Islamabad, duke thënë se “Libani dhe i gjithë Boshti i Rezistencës, si aleatë të Iranit, formojnë një pjesë të pandashme të armëpushimit”. “Kryeministri [pakistanez] Shehbaz Sharif theksoi publikisht dhe qartë çështjen e Libanit; nuk ka vend për mohim dhe tërheqje,” vazhdoi Ghalibaf. “Shkeljet e armëpushimit mbartin kosto të qarta dhe përgjigje të FORTA,” shkroi ai. “Shuajeni zjarrin menjëherë.” /Zoom.al