Aplikacion
Dritan Jano, të cilit iu hodh tritol në makinën e parkuar në oborrin e banesës në orët e para të mëngjesit, rezulton nipi i prokurorit Thoma Jano.
Mësohet se 39-vjeçari ka qenë gjithashtu ish-përgjegjës tek përgjimet në Prokurorinë e Përgjithshme.
Ngjarja ndodhi në zonën e Selitës së Vogël dhe sipas raportimeve, autorët kanë qenë dy persona, të cilët lëviznin me dy automjete.
Njëri prej tyre është afruar tek porta e shtëpisë së 39-vjeçarit Dritan Jano dhe ka hedhur lëndën plasëse në oborrin e banesës. Më pas, autorët janë larguar duke përdorur rrugicat e zonës.
Dritan Jano ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd, por ka pasur vetëm problematika të vogla për shkak të punës së tij.
Ai mohon të ketë dijeni për motivin pse autorët hodhën lëndën plasëse në makinën e tij, e cila ishte parkuar në oborr.
Sipas burimeve, 39-vjeçari nuk rezulton të ketë qenë i skeduar më parë nga policia. Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Dorina Jano, është një nga administratorët e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në kuadër të Ministrisë së Brendshme. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu aktivitetin e saj si një pistë të mundshme në hetimin e ngjarjes.