zoom

Ide & Blog

IRONIA/ Rama po mendon të mbyllë TikTok, po përse nuk e jep shembullin i pari?

I vënë nën akuzë publike për dështim të sigurisë në shkolla, pas vrasjes makabre të nxënësit 14 -vjeçar në shkollën “Fan Noli”, kryeministri Rama ka zgjdhur të dalë publikisht për të shmangur përgjegjësinë.

Ai foli për një përgjegjësi kolektive, teksa sa herë ka pasur akuza për ministra e drejtorë të tij është shprehur se përgjegjësia është personale.

Tha se fajin për dhunën e ka TikTok e Snapchat dhe paralajmëroi se qeveria po shikon mundësinë për ta mbyllur këtë rrjet.

Akuzoi opozitën dhe mediat që ngritën zërin këto 2 ditë për dështimin kapilar të arsimit, të mungesës së sigurisë në shkolla, të cilësisë së dobët të mësimdhënies, gjë të cilën duhet ta kishin bërë kohë më parë dhe përditë, e jo vetëm këtë javë.

Por kryeministrit i duket i tepërt dhe i kotë çdo reagim që nxjerr atë dhe qeverinë e tij përgjegjës për dështimet spektakolare në fushat kyçe që përbëjnë shytllat e një shoqërie.

Atij i duket se ata që i tregojnë me gisht raste tronditëse të dështimit në polici, arsim, mjekësi, drejtësi, administratë etj, janë antikombëtarë. Ai ka mundur këto vite të njehsojë figurën e tij me kombin, ndonëse qeveria e tij është përgjegjëse për një prej dëmeve më të mëdha të një kombi: atë të largimit masiv të të rinjve apo familjeve të reja dhe për nivelin më të ulët ndonjëherë të cilësisë së arsimit, me qindra mijëra fëmijë që pëfundojnë shkollat publike e mbeten analafabetë funskionalë.

“Në mbyllje dua të nënvizoj se tragjedia e nxënësit 14 -vjeçar, e familjes së tij dhe e komunietit të shkollës “Fan Noli” është shumë e madhe për t’u futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudo-elite mediatike dhe politike, e cila, përditë, përnatë, devijon çdo interes kombëtar e publik, çdo problem apo ngjarje dhe deri çdo fatkeqësi e tragjedi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e për biznes me ndjenjat dhe hallet e popullit. Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe qytetarë për të kuptuar se gjithësecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vet të frontit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tanë, përfshirë edhe ekranet e televizorëve, ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lotë krokodili për Shqipërinë e për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here edhe nxitës të hapur të dhunës, duke përfshirë edhe vetë sallën e parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje të dhunës” – u shpreh ai.

Rama foli me një gjuhë të indinjuari, a thua se po është në opozitë dhe jo afro 12 vjet në pushtet. Ai foli sikur fajin e ka prapë “Saliu” dhe opozita pse fëmijët e shkollave publike mbajnë thika dhe pse arsimi është në ditët e tij më të zeza.

Foli sikur fajin përse ai nuk ka vendosur ende ta mbyllë TikTok-un ia kanë opozita dhe mediat. Ai foli edhe këtë herë me aq agresivitet ndaj kundështarëve politike dhe kritikëve të paktë mediatikë, sa nuk flet kundër kriminelëve, të cilët çuditërisht nuk i përmend asnjëherë.

Rrjeti TikTok shihet si problem në shumë vende të botës, si promovues i dhunës, për shkak të mungesës së filtrave. Si kryetar i qeverisë ai mund ta kishte mbyllur me kohë atë, mjafton të urdhërojë AKEP.

Por sot, përpara se të dilte të fajësonte opozitën, mediat dhe TikTok-un pse nxënësit po vriten nëpër shkolla, ai duhet të kishte dhënë vetë shembullin i pari: mund të kishte dalë për të fshirë publikisht llogarinë e tij në TikTok. Mund ta bëjë edhe në orët që pasojnë, pasi me hapjen e llogarisë së tij në këtë platformë, ai ka qenë vetë promovues i saj, duke tërhequr aty ndjekës të shumtë, mes të cilëve janë padyshim edhe promovues të dhunës.

Por siç është dëshmuar në gjithë këto vite, kryeministri i Shqipërisë nuk është asnjëherë fajtor për asgjë që ndodh nën qeverisjen e tij, me vullnetin apo nga mungesa e vullnetit të tij për të reaguar kur duhet apo kur të tjerët, mediat e opozita që ai nuk i honeps, i tundin këmbanat e alarmit. Ai nuk ka asnjëherë përgjegjësi për dështimet, por ai merr meritat kur bën sikur po vepron për të ndrequr gabimet. /Zoom.al