zoom

Bota

Irani mbyll sërish Hormuzin

Irani mbyll sërish Hormuzin

Euforia zgjati vetëm pak orë. Irani mbylli sërish ngushticën e Hormuzit, duke rikthyer kalimin e kushtëzuar të monitoruar nga Garda Revolucionare Iraniane.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRIB tha se shkak u bë bllokada e Shteteve të Bashkuara, që vazhdoi pavarësisht masave për lehtësimin e kalimit nga Teherani.

Siç duket edhe përmes kësaj harte, shumë anije të ngarkuara me naftë, që përpiqeshin të eksportonin naftën e vendeve të Gjirit, u kthyen mbrapsht pasi njësitë e Gardës Revolucionare penguan kalimin e tyre. Teherani tha se që nga e premtja, kur u vendos kthimi i kalimit të lirë, ka kaluar vetëm një numër i kufizuar anijesh.

Zëdhënësi i presidentit iranian tha të premten se hapja e kanalit ishte provë se sa e angazhuar ishte pala kundërshtare për të çuar përpara përpjekjet për paqe.

Ndërsa ministri i jashtëm Abbas Araghchi, që njoftoi i pari vendimin, tha se ngushtica do të qëndronte e hapur deri të martën, kur skadon armëpushimi i përkohshëm mes SHBA-ve dhe Iranit.

Presidenti amerikan Donald Trump e konsideroi një ditë madhështore dhe falënderoi Iranin. Megjithatë, në një seri postimesh në rrjetin X, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se bllokada amerikane e Hormuzit do të vijojë të jetë në fuqi, deri në arritjen e një marrëveshjeje të plotë me Iranin.

Trump u shpreh optimist se këtë fundjavë do të kishte sërish bisedime të ndërmjetësuara nga Pakistani, megjithatë ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim.

Postime të lidhura