Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në Kuvend lidhur me raportin e Parlamenti Evropian për Shqipërinë, ku theksohet se rasti i Belinda Balluku përbën një test kyç për vendin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se gjatë 12 viteve në pushtet qeveria ka dështuar sistematikisht në përmbushjen e kritereve të integrimit.
Sipas saj, nëse do të kishte vullnet real për zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, Shqipëria sot do të ishte shumë pranë përmbylljes së negociatave me BE-në.
Tabaku nënvizoi se Parlamenti ka humbur rolin e tij në debatin për politikën e jashtme dhe integrimin evropian, duke kujtuar se prej më shumë se një dekade nuk është diskutuar asnjë rezolutë e përbashkët për këtë proces. Ajo theksoi se opozita ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e qartë e integrimit, pavarësisht përplasjeve politike të brendshme.
“Parlamenti vitet e fundit ka dështuar të ketë debat real qoftë për politikën e jashtme si dhe për procesin e integrimit. Ka të paktën 10 vite që parlamenti nuk merr mundimin të diskutojë një rezolutë të përbashkët për integrimin.
Shqipëria ka asetin se opozita e mbështet këtë proces. Ka një opozitë që çdo ditë pavarësisht mosdakordësive që kemi, është këtu edhe për procesin e integrimit. Ku kemi dështuar? Në këto 12 vite, dështimi ka qenë me maxhorancën. Sot Shqipëria do të ishte me një proces drejt përfundimit.
Por çdo vit në vend që të merrej me plotësimin e kritereve, janë marrë me propagandën. Për herë të parë, Shqipëria është në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ka të paktën 6 ligje që kanë shkelur këtë marrëveshjeje. Për herë të parë, Shqipëria është duke miratuar ligje që cenojnë detyrimet që janë marrë me angazhimet e proceseve paralele, qoftë nga procesi i Berlinit, te Plani i Rritjes. Po dështojmë të plotësojmë kriteret e integrimit.
Test kritik për procesin e integrimit është imuniteti i zv kryeministres. A është drejtësia e barabartë për të gjithë? E dyta lufta ndaj korrupsionit, siç tha edhe kryetari i komisionit të jashtëm se Shqipëria ra 11 vende në indeksin e korrupsionit. Sot edhe çështjet e sigurisë janë cenuar. Skandali i AKSHI-t ka cenuar sigurinë kombëtare”, u shpreh Tabaku./ Zoom.al