zoom

Kosova

I dogjën lokalin, nënkryetarja e Zveçanit: S’më frikësojnë dot as “Lista serbe” dhe as “Brigadat”

Nën dyshimet se Lista Serbe apo organizata terroriste “Brigada e veriut” janë përgjegjësit për djegien lokalit të saj, nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniç, ka ritheksuar se nuk mund ta frikësojë askush dhe se do të bëjë një ndërtesë edhe më të madhe, sesa lokali që iu dogj.

Ajo ka thënë se grupet kriminale në veri të Kosovës nuk e kanë më sundimin që kishin dhe se punësimi i serbëve në institucionet kosovare po iu pengon.

“Nuk mund të akuzoj askënd personalisht  por sipas meje nuk është askush pos Listës Serbe ose Brigadës Veriore. Sepse ata janë qartazi kundër punësimit të neve serbëve në institucionet e Kosovës.

Por, një gjë nuk mund ta kuptojë, si mundet që ne të punësohemi në institucionet e Kosovës, e vetë ata bëjnë kërkesë të kthehen nëpër institucionet kosovare. Mund ta potencoj se nuk frikësohem, është evidente që e kanë pas sundimin në këtë pjesë të Kosovës në këto vite dhe tash i ka dalë nga dora kjo situatë dhe këto janë qëllime që ta penojnë në punën tonë”, ka thënë Tomaniç në një intervistë për “TV Dukagjini”.

Më tej ka ritheksuar se nuk frikësohet dhe se gjithçka po bëhet nga ana e saj është ligjore.

“Disa serbëve nuk po u konvenon që serbët të punësohen në institucionet e Kosovës. Sa më përket mua unë atyre nuk iu frikësohem, tash do të bëj një ndërtesë edhe më të madhe dhe do të sjell këtu njerëz nga jugu, që ta dinë këtë”, ka shtuar ajo.

Sulmi ndodhi ditën e djeshme, teksa persona të panjohur i vunë zjarrin biznesit, duke shkaktuar dëme të rënda. /ZOOM.AL/