Aplikacion
Një nga kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, Ilir Alimehmeti, ka ngritur akuza të forta ndaj sistemit aktual zgjedhor, duke e quajtur atë “të deformuar” dhe “të padrejtë”. Në një intervistë për Report TV, ai theksoi se pavarësisht mbështetjes së gjerë nga qytetarët, sistemi nuk e lejon përfaqësimin real të votës.
“E quajmë sistem zgjedhor, por në fakt nuk bazohet më te vullneti i qytetarëve”, u shpreh ai. Sipas Alimehmetit, miratimi i këtij modeli elektoral ka krijuar një realitet ku shumica sundohet nga pakica dhe pjesëmarrja në votime bie vazhdimisht.
Ai vuri në dukje se ndërhyrjet e “maestrove” të politikës në formulat e përfaqësimit, si heqja e herësit, kanë kufizuar mundësinë që figura të mbështetura nga elektorati të hyjnë në Kuvend. “Në këtë garë, mund të jesh më i votuari, por sistemi të përjashton”, tha ai.
Lidhur me rezultatin e dobët të PD, Alimehmeti pranoi se duhet reflektim dhe analizë e thelluar pas mbylljes së procesit zgjedhor. Edhe pse nuk përmendi direkt emra, ai la të kuptohej se përgjegjësia për humbjen shkon deri në krye të partisë.
“Në çdo organizatë, përgjegjësia nis nga lart. Ne kemi nevojë për një riformatim të brendshëm dhe për një analizë të ndershme. Ai që punon mirë duhet të mbështetet, ai që jo, të hapë rrugë”, përfundoi ai./ Zoom.al