zoom

Ide & Blog

Mos krijoni iluzione, Edi Rama e mori fitoren sërish në tavolinë

Mos krijoni iluzione, Edi Rama e mori fitoren sërish në tavolinë

Nga redaksia e Zoom.al

Fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, që i dhanë Edi Ramës një mandat të katërt, nuk ishte aq e papritur siç e tha Giorgia Meloni në samitin e Komunitetit Politik.

Askush thuajse nuk besonte në një përmbysje të pushtetit me votë.

Edi Rama i fitoi këto zgjedhje për shkak të një sërë faktorësh, që ndërthurin politikën, institucionet shtetërore, shoqërinë, biznesin. Ai hyri në këto zgjedhje me një pushtet të konsoliduar në çdo nivel dhe me një kontroll absolut të të gjitha pushteteve. Kurrë më parë një kryeministër shqiptar nuk ka pasur kaq shumë kontroll mbi shtetin.

Edi Rama kontrollon me dorë të hekurt jo vetëm qeverinë, por edhe parlamentin. Shumica parlamentare i bindet atij verbërisht. Asnjë deputet i PS nuk ka mundur të guxojë deri tani të dalë nga radha për të kundështuar ndonjë ligj apo vendim politik parlamentar. Është e kotë edhe ta pretendosh se ndonjëri prej tyre mund të mendojë ndryshe. “Edi Rama na ka bërë këta që jemi. Ne jemi problem për Edi Ramën dhe jo ai për ne. Ne mund t’ia shkaktojmë atij humbjen nëse nuk punojmë fort”, shprehej gjatë fushatës elektorale një ministër në rrethin e tij shoqëror.

Edi Rama kontrollon po ashtu thuajse të gjithë pushtetin lokal. Partia Socialiste mori 53 nga 61 bashkitë, ndërsa opozita e drejtuar nga Berisha – Meta mori vetëm 7. Administrata e bashkive është e tejfryrë me punonjës si kurrë më parë. Po ashtu i gjithë aparati shtetëror. Nga 160 mijë punonjës që administrata kishte në vitin 2013, në vitin 2025 kjo shifër ka arritur në 185 mijë. Paradoksal është fakti se numri i të punësuarve në shtet rritet teksa numri i popullsisë pakësohet.

Edi Rama hyri në këto zgjedhje duke kontrolluar një pjesë të konsiderueshme të medias tradicionale dhe të portaleve të shumta që propagandojnë politikat qeveritare dhe sulmojnë kundështarët politikë.

Raporti paraprak i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e konsideroi situatën mediatike si problematike.
Kreu i misionit të OSBE-së, Lamberto Zanier, deklaroi ky problem serioz me median ka ndikim të drejpërdrejtë në votën e qytetarëve.
Michal Gahler, përfaqësues i delegacionit të vëzhgimit nga Parlamenti Europian, e quajti çështjen e medias një “problem madhor” që nuk siguronte kushte të barabarta në garën e partive.

Edi Rama hyri në këto zgjedhje me një drejtësi që, për ata që vëzhgojnë me imtësi performancën e saj, është e dirigjuar nga zyra qeveritare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në 12 vite skandale korruptive të paimagjinueshme, me zëvendëskryeministra në arrati e ministra në burg për drogë, korrupsion e shpërdorim detyre, i vetmi që s’i ka hyrë gjemb në këmbë është kreu it re qeverive radhazi. Analistët politikë thonë se SPAK vepron duke spastruar “degët e kalbura” të pemës së pushtetit të Edi Ramës. Në perceptimin publik, SPAK është bërë një institucion i besueshëm, por jo i pavarur politikisht.

Të gjitha këto i dhanë makinerisë shtetërore të drejtuar nga Edi Rama avantazhin në zgjedhje.
Por përveç kësaj, në këtë fitore dërrmuese ndihmoi edhe një opozitë e përçarë, e cila nuk arriti ta merrte dot veten nga goditjet e njëpasnjëshme që mori prej vitit 2017, pas të cilave tashmë nuk ka dyshime se qëndron Edi Rama.

Pas paktit me Lulzim Bashën, Edi Rama arriti ta ndante PD nga LSI, në një kohë kur bashkimi i tyre në vitin 2021 do t’u kishte dhënë atyre pushtetin. PD e drejtuar nga Berisha e ka akuzuar Ramën se ai mbajti peng vulën dhe logon dhe e detyroi Berishën të dilte në garën zgjedhore nën logon e Ilir Metës.
Opozita doli në këto zgjedhje e ndarë në 4 grupe: Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha, Mundësia e drejtuar nga deputeti demokrat Agron Shehaj që mori 2 mandate më 11 maj, Euroatlantikët e Lulzim Bashës dhe demokratët e vitit 1912 të Alibeajt.
Nga blloku opozitar morën vota edhe Shqipëria Bëhet – Nisma e dyshes Lapaj – Shabani dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit.

Mungesa e një aleance opozitare me një lider të fortë përballë Edi Ramës e copëzoi votën e opozitës dhe bëri që ajo të mos shfaqej aq bindëse më 11 maj para votuesve.

Për këdo që kërkon arsye të tjera, mund të përmendim edhe premtimet nga thesi i gënjeshtrave më pasaportë europiane apo rritje pagash e pensionesh. Por në thelb të fitores qëndron kontrolli i çdo pushteti dhe gjithçkaje që mund të rrezikojë rënien e një qeverie, nga shoqëria civile te biznesi, nga lufta për të copëtuar opozitën tek përdorimi i çdo burimi shtetëror dhe i institucioneve në shërbim të partisë politike në pushtet. /Zoom.al

Postime të lidhura