zoom

Lajme

Futbolli në zi/ Ndahet nga jeta legjenda e Fiorentinës

Futbolli në zi/ Ndahet nga jeta legjenda e Fiorentinës

Celeste Pin, ish-mbrojtësi legjendar i Fiorentinës, është gjetur i pajetë në moshën 64-vjeçare në shtëpinë e tij në zonën kodrinore të Careggi-t, këtë të martë.

Sipas mediave italiane, dyshohet se ai i ka dhënë fund jetës, megjithëse në vendngjarje nuk është gjetur asnjë letër apo mesazh lamtumire. Trupi i tij u zbulua pasi një i afërm i shqetësuar njoftoi autoritetet, pas disa ditësh pa asnjë kontakt. Hetimet janë ende në vijim për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Në një mesazh ngushëllimi të ndjerë, klubi shprehu ngushëllime për familjarët e tij.

“Presidenti Commisso, bashkëshortja e tij Catherine, drejtori i përgjithshëm Alessandro Ferrari, drejtori sportiv Daniele Pradè, trajneri Stefano Pioli dhe i gjithë klubi i Fiorentinës bashkohen me familjen Pin në këtë moment të dhimbshëm…”, thuhet në reagim.

Pin ka qenë një nga figurat më të respektuara të Fiorentinës gjatë viteve ’80, pjesë e skuadrës që luajti finalen e Kupës UEFA në sezonin 1989–1990 përballë Juventusit. Gjatë atyre viteve, ai ndau fushën me emra si Roberto Baggio dhe trajneri i sotëm i Fiorentinës, Stefano Pioli.

Pas Fiorentinës, ai luajti për Veronën dhe Sienën, ku edhe mbylli karrierën si futbollist. Më pas vijoi angazhimin në futboll si trajner i ekipeve të moshave dhe komentator sportiv, ndërsa kohët e fundit punonte edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme./ Zoom.al

Postime të lidhura