Aplikacion
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, ngjarje që prej disa ditësh po hetohet nga autoritetet në Tiranë.
Një fotografi dokumenton një nga lëvizjet e fundit të Koçit para se të humbiste çdo kontakt me familjen e tij. Sipas informacioneve të mbledhura nga grupi hetimor, ai është parë duke hyrë në një objekt që tashmë ndodhet në qendër të verifikimeve policore.

Hetuesit dyshojnë se pas hyrjes në këtë ambient, 34-vjeçari nuk është larguar më me vullnetin e tij. Analiza e provave dhe rindërtimi i itinerarit të fundit kanë çuar në identifikimin e një personi të dyshuar si i përfshirë në ngjarje.
Bëhet fjalë për Armand Shakajn, 41 vjeç, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Ai dyshohet se ka mbajtur peng të riun, ndërsa forcat e rendit vijojnë operacionet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Në kuadër të të njëjtit hetim është vënë në pranga edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, ndaj të cilit rëndon dyshimi për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga policia është gjetur motomjeti i Eglant Koçit, ndërsa është sekuestruar edhe një automjet tjetër që dyshohet se është përdorur për transportimin e tij pas momentit kur u fut në ambientin e monitoruar nga hetuesit.
Në makinë janë konstatuar njolla gjaku, që kanë ngritur dyshimet se Koçi mund të jetë ekzekutuar.
Burime bëjnë me dije se kontrollet janë shtrirë në disa zona dhe objekte të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë mbajtur 34-vjeçari. Megjithatë, deri tani nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e tij.
Sipas policisë, ai është parë për herë të fundit në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”, ku dyshohet se është marrë peng./ Zoom.al