Aplikacion
Florenc Çapja është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri, pas një operacioni të finalizuar nga Policia e Shtetit.
Ai është një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht, i akuzuar për përfshirje në vrasje të rënda dhe krime të tjera në Elbasan, përfshirë vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri, në vitin 2012.
Çapja mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” rreth orës 17:00, ndërsa forcat e policisë blinduan zonën.
Florenc Çapja është një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, veçanërisht i lidhur me qytetin e Elbasanit.
Ai është akuzuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) si porositës i vrasjes së babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, në vitin 2012, një ngjarje që dyshohet se lidhet me hakmarrje për vrasjen e një anëtari të familjes Çapja në vitin 2005 .
Përveç kësaj, Florenc Çapja është përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale, përfshirë një atentat ndaj ish-efektivit të policisë Fadil Mema në vitin 2016. Në vitin 2021, ai u arrestua në Dubai, por më pas u lirua pasi bashkëshortja e tij pagoi një shumë prej rreth 55 mijë dollarësh, dhe për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
SPAK ka kërkuar një dënim prej 25 vitesh burg për Florenc Çapjan për vrasjen e dyfishtë të vitit 2012. Gjithashtu, autoritetet shqiptare kanë sekuestruar pasuri të tij dhe të familjarëve të tij, përfshirë prona dhe toka në Elbasan dhe Pogradec, si pjesë e operacionit “Golden Bullet”./ Zoom.al