zoom

Lajme

Federata e Maqedonisë së Veriut ndëshkon rëndë Shkëndijën, klubi shqiptar përjashtohet nga Kupa

Federata e Maqedonisë së Veriut ndëshkon rëndë Shkëndijën, klubi shqiptar përjashtohet nga Kupa

Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka marrë një vendim të ashpër ndaj Shkëndijës së Tetovës, duke ndëshkuar klubin shqiptar me përjashtim nga edicioni i ardhshëm i Kupës dhe me një seri gjobash financiare që në total arrijnë në 105 mijë euro.

Masat disiplinore lidhen me ngjarjet e finales së Kupës, ku sipas raportit zyrtar janë regjistruar disa shkelje nga ana e klubit dhe tifozëve të tij.

Një pjesë e gjobës, konkretisht 15 mijë euro, është vendosur për përdorimin e mjeteve piroteknike në tribunë gjatë ndeshjes. Federata ka ndëshkuar gjithashtu klubin me 10 mijë euro për kore dhe slogane të konsideruara të papërshtatshme.

Një tjetër episod që ka rënduar pozitën e Shkëndijës ka qenë shfaqja e një baneri, i cilësuar nga organet disiplinore si me përmbajtje ekstremiste, për të cilin klubi është gjobitur me 20 mijë euro të tjera.

Megjithatë, sanksioni më i rëndë lidhet me refuzimin e futbollistëve për të marrë medaljet pas përfundimit të finales. Sipas Federatës, ky veprim është konsideruar si mungesë respekti ndaj organizatorëve dhe kundërshtarëve, çka ka sjellë jo vetëm një gjobë prej 30 mijë eurosh, por edhe përjashtimin e Shkëndijës nga Kupa për sezonin e ardhshëm.

Përveç kësaj, klubi tetovar është dënuar edhe me katër ndeshje pa tifozë dhe një tjetër gjobë prej 30 mijë eurosh për incidentet që lidhen me ceremoninë e himnit shtetëror. Në raportin zyrtar pretendohet se himni i Maqedonisë së Veriut nuk është respektuar, ndërsa në tribunë janë dëgjuar këngë dhe thirrje me simbolikë shqiptare.

Shkëndija kishte reaguar më herët duke sqaruar se lojtarët nuk e kishin dëgjuar njoftimin për ceremoninë e medaljeve, por ky argument nuk është marrë parasysh nga komisionet disiplinore të Federatës.

Postime të lidhura