zoom

Slider

Erzeni “përmbyt” Tiranën dhe gjen fitoren pas pesë ndeshjesh, bardheblutë pa busull

Tirana vijon sezonin me ulje ngritje të forta, këtë herë bardheblutë pësojnë një humbje të rëndë përballë Erzenit, skuadër që nuk fitonte prej 5 ndeshjesh radhazi. Kjo disfatë, me shumë se sa për pikët e lëna, rëndon mbi ekipin pasi vjen përpara derbit të kryeqytetit kundër Partizanit.

Ekipi i Ahmataj prodhoi futboll, kërkoi nga minuta e parë deri tek e fundit, zhvilloi një futboll sulmues, por nuk ishin të saktë në pasin final. Erzeni nuk vodhi asgjë, bëri lojën e tij, ku goditja me kokë e Mihanajt rezultoi një trepikësh.

Tirana e nis sfidën “zjarr”, ku pas vetëm 3 minutash lojë, Florent Hasani goditi shtyllën pingule. Tirana kishte kontrollin e lojës, por në rastin e parë, në minutën e 35-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, Mihana me kokë, kërceu mbi të gjithë duke dërguar topin në rrjetë.

Me fillimin e pjesës së dytë, Tirana gjeti golin e barazimit me Abazaj, pro gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për faull në sulm. Kryeqytetasit pretenduan për një 11-metërsh, në minutën e 63-të, për prekje të topit me dorë, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari i takimit.

Tirana gjeti sërish golin e barazimit, këtë herë me Najdovskin, por gjyqtari i takimit, me ndihmën e sistemit VAR anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. Në mënyrë të pabesueshme, portieri Hasanbelli mban portën të pa prekur duke i mohuar një gol të sigurt Përgjonit në minutën e 78-të. Tirana provoi sërish me Latifin, por as sulmuesi, nga goditja e dënimit, nuk arriti të mposht portierin e Erzenit.

Bardheblutë spostuan Erzenin në zonën e rreptësisë deri në sekondat e fundit, por as Patrik nuk mundi dot të shmang këtë humbje të Tiranës, në fund festa ishte e gjitha për shijakasit që marrin pak frymë pas këtij trepikëshi.