zoom

In Zoom

Erdogan i merr avionin Ramës, nisin problemet për “Air Albania”

Edi Rama nuk po udhëton më nëpër botë me avionin e tij charter, Ismailin, një Airbus 319 – 100 ACJ, të cilin ai e kishte në përdorim prej shkurtit të vitit 2020, si një “dhuratë” e vëllait të tij të madh turk, presidentit Erdogan.

Prej majit të këtij viti Ismaili nuk është më nën komandën e kryeministrit shqiptar. Avioni, TC – ANA me HEX CODE 4B85C1 është shndërruar në TC – GVC me HEX CODE 4B9EC3 dhe është rikthyer në pronësi të qeverisë turke. Statusi? I parkuar.

Edi Rama e përdori këtë avion për të fluturuar cep më cep të botës, me shpenzime të padeklaruara asnjëherë. Zoom.al, që e ekspozoi për herë të parë historinë e charter-it luksoz të kreut të qeverisë shqiptare, i ka kërkuar në vazhdimësi zyrës së Kryeministrit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare faturën e shpenzimeve (LEXO KËTU). Asnjëri nga institucionet nuk i ka treguar faturat.

Të dhënat e këtij avioni, sipas faqeve të specializuara botërore të aeronautikës, tregojnë se shpenzimet e tij variojnë nga 10 ne 15 mijë euro për çdo orë fluturim. Ai ka një kapacitet prej 24 deri në 30 mijë litra karburant dhe mund të përshkruajë një distancë prej 11 mijë kilometrash. Për një orë fluturim ai harxhon 1 133 litra karburant. Për të gjithë ata që pyesin se sa shpenzon ai në një orë fluturim, përgjigjja është kjo: Për të marrë me qira një Airbus A 319 kostoja është 11.150 dollarë. Çmimi i blerjes është 89 milionë dollarë. Nëse është i përdorur, kushton rreth 40 milionë dollarë.

Por veç karburantit, kostot për stafin, sigurimin apo kostot aeroportuale janë marramendëse. Vetëm siguracioni mund të kushtojë në afro 90 mijë dollarë në vit.

  • Faqja “Faktoje.al” që është kontraktuar nga Facebook për të luftuar “fake news” në Shqipëri iu kundërvu një shkrimi të mëparshëm të Zoom.al për kostot e avionit charter të kryeministrit. Por në vend që të kontrollonte të dhënat e publikuara nga Zoom.al dhe t’i krahasonte ato me faqet e specializuara të aeronautikës, apo të kërkonte së paku faturat e shpenzimeve, si një detyrim parësor gazetaresk, Faktoje.al tha në atë kohë se kishte kontaktuar një ekspert pa emër, i cili kishte bërë disa përllogaritje të hamendësuara dhe arrinte në përfundimin se kostot duhet të ishin shumë më pak. Por as eksperti anonim dhe as faqja Faktoje.al nuk kërkuan të dhënat zyrtare të shpenzimeve pranë Kryeministrisë, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare apo vetë kompanisë Air Albania. Ata u mjaftuan të raportojnë si të pavërtetë shkrimin e Zoom.al.
  • Zoom.al i fton t’i kontrollojnë sërish të dhënat edhe këtë herë dhe të investigojnë rastin, bashkë me raportimin e pritshëm për të dhënat e këtij shkrimi.

Sipas të dhënave të sistemit TIMS, të publikuara nga një grup hakerash që sulmuan sistemet shqiptare, kryeministri kishte kryer deri vitin e kaluar 147 fluturime me “Ismailin”.

Opozita në atë kohë përllogariti rreth 22 milionë euro shpenzime. Nëse paratë janë paguar nga taksapaguesit shqiptarë nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare që ka një kontratë me kompaninë “Air Albania” apo nëse ato janë paguar nga vetë “Air Albania”, kjo mbetet e paqartë.

Opozita kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për avionin, por më vonë u tërhoq (pasi mazhoranca e refuzoi për disa muaj më radhë) ku arriti një marrëveshje me PS për normalizimin e jetës parlamentare. (LEXO EDHE: Fatura 22 mln euro për udhëtimet me Charter të Ramës, Bardhi kërkon informacione zyrtare)

AIR ALBANIA

Historia se si u përfshi “Air Albania” në kalimin e avionit Airbus 319 nga pronësia e qeverisë turke në pronësinë e qeverisë shqiptare për 4 vjet, mbetet mister. “Air Albania” nuk ka publikuar deri tani asnjë kontratë, as me qeverinë turke për blerjen e avionit dhe as me qeverinë shqiptare për vënien në dispozicion të këtij avioni për kryeministrin apo qeverinë shqiptare.

Po ashtu, “Air Albania” nuk ka publikuar ende prej 4 vitesh bilancet e kompanisë në QKB, ndonëse ky është një detyrim ligjor

LEXO KËTU: 4 vjet pa dorëzuar bilancet në QKB, çfarë po fsheh kompania ajrore Air Albania?.

Dyshimet janë se pas refuzimit për të bërë publike bilancet qëndrojnë problemet me avionin “Ismaili” dhe tentativa për t’i fshehur ato.

Të dhënat e publikuara nga kompania “Turkish Airlines” (LEXO KËTU) që është bashkëpronare në “Air Albania” së bashku me biznesmenin kontrovers shqiptar Sinan Idrizi, treguan se për vitin 2023 linja shqiptare e operimit ishte me humbje. Disa media online kanë raportuar se “Air Albania” është në prag të falimentimit.

Tani “Air Albania” ka nisur të lërë pasagjerët nëpër aeroporte, siç ndodhi një natë më parë me linjën Milano Malpensa – Rinas. Pati raportime se “Air Albania” nuk ka paguar taksat për të shfrytëzuar aeroportin e Malpensës. Por kompania nuk ka bërë ende asnjë sqarim.

ISMAILI – RAMA – ERDOGAN

Kur Edi Rama nisi udhëtimet luksoze me “Ismailin”, të cilin e përdori edhe për të shkuar në Prishtinë e Podgoricë për të pirë kafe me kryeministrat e atjeshëm, apo për të çuar nga Brukseli në Shkup kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, shumë zëra thanë se avioni ishte dhuratë e “vëllait të madh Erdogan për vëllain e vogël Edi”. Si një “lider global”, një term që i vuri miku i tij serb, Aleksandër Vucic, Rama s’mund të udhëtonte me avionë të linjës.

Tani, marrëdhëniet mes dy vellezëve kanë ndryshuar nga sa ishin 4 vjet më parë. Edhe të enjten në Tiranë, Erdogan i shprehu ndasitë përsa i përket luftës në Gaza. Turqia është tërësisht kundër Izraelit për çfarë po ndodh me konfliktin, ndërsa Shqipëria e mbështet Tel Avivin.

Dy vëllezërit kanë divergjenca edhe përsa i përket organizatës “FETO”, apo gylenistëve. Erdogan, në çdo vizitë në Shqipëri apo takim që ka pasur me kryeministrin Rama, ka kërkuar largimin e “FETO” nga Shqipëria.

Edhe ministri i jashtëm turk këtë pati refren kur vizitoi Tiranën. Turqia, siç pohojnë për Zoom.al disa ekspertë të politikës së jashtme, po sheh “një lloj loje të dyfishtë” të kryeministrit Rama, veçanërisht për çështjen e “FETO”. “Ai i thotë Erdoganit se po bën gjithçka për të larguar gylenistët, por nga ana tjetër s’po bën asgjë” – thotë një ekspert në kushtet e anonimitetit.

Heqja e avionit duket se është pikërisht e lidhur me këtë lojë, por deri tani Zoom.al nuk ka mundur t’i konfirmojë arsyet se përse avioni “Ismaili” kaloi sërish në duart e qeverisë turke pasi u përdor 4 vjet me radhë ekskluzivisht nga kryeministri i shqiptar Edi Rama, i cili mori në udhetime miq, të afërm, familjarë, gazetarë, biznesmenë e personazhe të tjerë të jetës politike e publike në Shqipëri e jo vetëm. /Zoom.al