Aplikacion
Një i burgosur që vuante dënimin me burgim të përjetshëm ka ndërruar jetë këtë të hënë në Spitalin Rajonal të Korçës, pasi u dërgua me urgjencë për shkak të problemeve serioze shëndetësore.
Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për shtetasin Hysni Repaj, 64 vjeç, me origjinë nga Shkodra. Ai ishte dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje me dashje në rrethana të lidhura me një tjetër krim, si dhe armëmbajtje pa leje.
Raportohet se gjatë qëndrimit në institucionin e vuajtjes së dënimit, Repaj kishte shfaqur edhe probleme të shëndetit mendor dhe ishte ndjekur nga specialistë të fushës. Gjendja e tij fizike u përkeqësua pas një kontrolli rutinë, ku mjekët konstatuan ritëm të ulët të rrahjeve të zemrës, duke vendosur transportimin e menjëhershëm drejt spitalit.
Megjithëse u morën masa për trajtim të specializuar, gjendja e tij u rëndua më tej gjatë ekzaminimeve, duke kaluar në arrest kardiak dhe respirator. Përpjekjet e stafit mjekësor për ta rikthyer në jetë nuk dhanë rezultat./ Zoom.al